Kosova dhe Turqia bashkëpunim në fushën e arsimit special
Stamboll, 12 maj - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, gjatë vizitës së tij që po i bën Turqisë, është takuar edhe me rektorin e Universitetit Anadollia, Daut Aydini, Universitet ky që gjendet në qytetin Eskisheir të Turqisë.
Me këtë rast, ministri Buja dhe rektori Aydin nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi në fushën e arsimit specil, qëllimi i të cilës është bashkëpunimi në analizimin e gjendjes aktuale me qëllim të përmirësimit të arsimit special në Republikën e Kosovës.
Ministri Buja dhe rektori Aydin biseduan edhe për përgatitjen e kuadrove të reja që do të shërbejnë për Universitetet e reja publike, që janë themeluar e të cilat pritet të fillojnë punën së shpejti, gjë për të cilën ministri Buja mori mbështetje të plotë nga rektori Aydin.
Ministri Buja gjithashtu është takuar edhe me studentët kosovarë, të cilët po ndjekin studimet e nivelit master dhe të doktoratës në Universitetin Anadollia, me të cilët ka biseduar për kushtet e studimeve të tyre, duke ju ofruar mbështetje të plotë.
Po ashtu, ministri Buja ka vizituar edhe Qendrën për përgatitjen e testeve për maturantët në Turqi.
Ndryshe, ministri Buja gjatë vizitës në Turqi ka marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Unioni i Universiteteve Euro-Aziatike në Stamboll, është takuar me ministrin e Arsimit Kombëtar të Republikës së Turqisë, Nabi Avci, me përfaqësues të institucioneve tjera të arsimit, si dhe me udhëheqës të universiteteve më prestigjioze në Turqi.