Kosova dhe Shqipëria me bashkëpunim të mirë në fushën e arsimit
Tiranë, 25 shtator - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi është pritur nga ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Lindita Nikolla, me të cilën kanë biseduar për çështje të rëndësishme të bashkëpunimit në fushën e arsimit.
Ministrat Bytyqi dhe Nikolla janë pajtuar që Kosova dhe Shqipëria të vazhdojnë edhe më tej bashkëpunimin sa i përket kurrikulave të përbashkëta, ndërsa bënë të ditur se të dy vendet do të angazhohen edhe në integrimin e përbashkët të sistemit të arsimit në Bashkimin Evropian.
Ministri Bytyqi, me këtë rast, ka shprehur gatishmërinë e tij për angazhim të përbashkët edhe sa i përket përmirësimit të kualitetit në arsim.
“Jemi të interesuar që të vazhdojmë bashkëpunimin i cili tashmë ka dhënë frytet e para të një bashkëpunimi serioz. Është filluar një bashkëpunim i mirë në fushën e kurrikulave, të cilat po zbatohen në të dy vendet. Kemi akoma për të bërë edhe sa i përket ngritjes së cilësisë. Jam në dijeni lidhur me sfidat që vazhdojnë të jenë pjesë e sistemit të arsimit, por me një angazhim të përbashkët do të tejkalohen të gjitha problemet”, është shprehur Ministri.