Kosova dhe Shqipëria angazhohen për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë
Në këtë takim, u fol për sukseset dhe sfidat lidhur me organizimin e mësimit plotësues në diasporë, ndërsa u theksua nevoja për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe koordinimin e aktiviteteve në këtë drejtim.
Po ashtu, gjatë këtij takimi, u shqyrtuan mundësitë dhe modalitetet e implementimit të marrëveshjeve të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë të nënshkruara nga ministrat përkatës në vitin 2015 dhe 2017 lidhur me bashkëpunimin e ndërsjellë, financimin dhe organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë.
Zyrtarët e lartë të dy shteteve, vendosën që të themelohet një këshill, apo qendër e përbashkët koordinuese, me qendër në Prishtinë, me qëllim të rritjes së efikasitetit të veprimit konkret në të ardhmen.
Gjatë këtij takimi, u bisedua edhe për finalizimin e kurrikulës së përbashkët për diasporë, tekstet mësimore dhe Seminarin tradicional për mësimdhënësit e diasporës dhe aktivitete tjera të përbashkëta.
Gjatë ditës së sotme janë mbajtur edhe takime të grupeve punuese, ekspertëve për hartimin e kurrikulës së përbashkët për diasporë, e cila së shpejti do të finalizohet.