Kosova dhe Gjermania nënshkruan bashkëpunimin në arsim
Hamburg, 12 shkurt - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, është takuar sot me senatorin e Shtetit për Shkolla për Arsim dhe Aftësim Profesional, Ties Rabe, në Hamburg, me të cilin ka biseduar për format e bashkëpunimit në fushën e arsimit profesional, me çrast Gjermania është shprehur e gatshme ta ndihmojë Kosovën në fushën e arsimit dhe aftësimit profesional.
Ministri Buja dhe senatori Rabe kanë nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi, me të cilën marrëveshje Hamburgu do ta mbështesë Arsimin dhe Aftësimin Profesional në Kosovë.
Ministri Buja me këtë rast ka falënderuar Gjermaninë për mbështetjen e vazhdueshme që po i jep shtetit të Kosovës, në të gjithë sektorët.
Kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm në fushën e arsimit profesional mes Kosovës dhe Hamburgut. Kjo është një ndër cështjet me të rëndësishme për të rinjtë kosovarë dhe të ardhmen më të mirë dhe perspektivën e tyre profesionale.Nënshkrimi i kësaj marrëveshje do të ndihmojë themelimin e Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional, ka thënë ministri Buja.
Ministri Buja ka thënë se me gjithë kufizimin e zhvillimit ekonomik që ka Kosova, ka bagazh rininë me të cilën Kosovës i hapen dyert në Evropë për projekte të tilla të rëndësishme.
Ndërkaq, senatori Rabe tha se shkollimi i kuadrove të reja ndihmon në zhvillimin e një shoqërie sic është Kosova.
Në dëshirojmë të kemi të rinj sa ka Kosova, por ne kemi strategjinë dhe ndërmarrjet. Kur i bashkojmë këto elemente shpresojmë për një të ardhme më të mirë në aspektin e kualifikimit profesional të tyre.
Delegacioni nga Kosova, që kryesohet nga ministri Buja, gjatë ditës së sotme ka vizituar edhe Odën Eekonomike të Hamburgut, ku u informuan për rrjedhën e procesit në arsimin profesional në Hamburg.
Sipas menaxhmentit të Odës, 500 mijë ndërmarrje zhvillojnë arsimin profesional, kurse nxënësit 33 për qind zhvillojnë mësinin teorikt, kurse 67 për qind mësimin praktik.
Ndryshe, gjatë kësaj vizite, ministri Buja po shoqërohet nga anëtarë të Komisionit Parlamentar për Arsim të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës, si dhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Skender Gjakaliu.
Delegacioni nga Kosova, gjatë vizitës, është njohur me mënyrën e organizimit dhe funksionimit të arsimit profesional në Hamburg.