Kosova bashkëpunon me landin e Baden-Wurtembergut në arsim
Prishtinë, 18 prill - Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, ka pritur një përfaqësues të institucioneve të ndryshme gjermane, të cilët janë edhe anëtarë të Rrjetit kosovar, të cilët për synim kanë ngritjen e shoqërisë kosovare në fushat sociale.
Ky delegacion nga landi Baden-Wurtemberg i Gjermanisë, i prirë nga Thilo Rentschler po qëndron në Kosovë gjatë kësaj jave me qëllim të forcimit të bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e arsimit social, nga ku do të përfitonin të dy vendet.
Përveç përkrahjes së arsimit social në Kosovë, anëtarët e Rrjetit, do të angazhohen që institucionet sociale të Baden-ëurtembergut tu ofrojnë të rinjve të Kosovës mundësi për të kryer praktikën profesionale atje, ndërsa institucionet e Diakonisë të ofrojnë aftësime shtesë modulare për personelin social, ashtu që aftësimi i tyre të njihet edhe në Gjermani dhe ata që mund të punojnë edhe në këtë shtet.
Me këtë rast, zv/ministri Mustafa theksoi bashkëpunimin shumë të mirë që ka Kosova me Gjermaninë, e veçanërisht ndihmën e madhe të shtetit gjerman në arsim përmes GIZ-it. Ndërsa, ai përmendi edhe bashkëpunimin me Institin gjerman të arsimit profesional HIB, Odën Zejtare të Dortmundit, por edhe institucione tjera.
Mustafa e vlerësoi si të rëndësishëm këtë takim dhe këtë iniciativë, sepse prekë fushën sociale, ku Kosova nuk qëndron mirë.
Po mundohemi të adoptojmë programe të reja në arsimin e mesëm që kanë të bëjnë me fushën sociale dhe po inkurajojmë edhe institucionet private për hapjen e programeve të tilla, tha ai.
Zëvendësministri Mustafa tha se Kosova nuk e ka këtë problem, sepse ka popullsinë më të re në Evropë, por tha se jemi të vetëdijshëm që edhe populli jonë do të shkojë duke u plakur.
Rrjeti angazhohet edhe për zgjidhjen e problemeve të kosovarëve në Gjermani për punësim dhe qëndrim. Ky rrjet bashkëpunon ngushtë me institucionet shtetërore të Kosovës dhe me ambasadën e Kosovës në Gjermani.
Pjesë e Rrjetit është edhe ish komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler, përfaqësues të institucioneve të arsimit, përfaqësues të shkollave të larta, udhëheqësi i Diakonisë së madhe, etj.