30 Dhjetor 2024

Konferenca studentore e UP-së mbledh studentë nga mbi 20 shtete

Prishtinë, 24 mars - Kohë më parë kanë filluar punimet për organizimin e Konferencës së Parë Studentore të Universitetit të Prishtinës, e njohur si UPISC’16 - shkurtesë nga University of Prishtina International Student Conference 2016 - e cila është ngjarja studentore e parë e këtij lloji në këtë format, që organizohet nga studentët e Universitetit të Prishtinës, përkatësisht Fakulteteve Ekonomik dhe Juridik.

Në vazhdën e aktiviteteve për organizimin e kësaj ngjarje historike, tanimë janë mbyllur thirrjet për aplikime dhe janë përzgjedhur pjesëmarrësit, që do të takohen në fillim të muajit maj në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, për të prezantuar punën e tyre akademike përpara një audience të larmishme të përbërë nga studentët, profesorë, ligjërues, hulmtues dhe njerëz të artit e të shkencës.

Në fazën e aplikimeve kanë aplikuar 77 studentë të niveleve Bachelor, Master dhe të posadiplomuar me 61 abstrakte nga mbi njëzet vende nga mbarë bota, duke përfshirë këtu Shqipërinë, Maqedoninë, Greqinë, Turqinë, Gjeorgjinë, Kazakistanin, Kinën, Rusinë, Bjellorusinë, Ukrainën, Poloninë, Gjermaninë, Italinë, Francën, Holandën, Zvicrën, Republikën Çeke, Slloveninë, Hungarinë, Bullgarinë, Bosnie e Hercegovinën, Emiratet e Bashkuara Arabe, Keninë, Nepalin dhe Indonezinë.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur proceset e organizimit të konferencës, duke konkretizuar këtu pjesën e akomodimit dhe ushqimit të 50 pjesëmarrësve, të cilët do të qëndrojnë në Qendrën Studentore në datat 2 deri 7 maj 2016.

Në anën tjetër, transportin brenda territorit të Republikës së Kosovës, me kënaqësinë më të madhe, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e ka shprehur gatishmërinë që të kontribuojë në organizimin e suksesshëm të ngjarjes, që me sa duket do të jetë më e madhja e organizuar ndonjëherë nga studentët e Fakultetit Ekonomik dhe atij Juridik.

Pas konferencës, do të organizohet edhe debati më i madh ndërkombëtar në kuadër të UP-së, me studentë vendor dhe të huaj, profesorë e asistentë dhe pjesëtar të shoqërisë civile, me tematikën “Si organizohen studentët”. Paneli i këtij debati pritet të jetë i larmishëm dhe provokues. Debati mbështetet nga kompania e njohur Dauti Komerc.

Këshilli Organizativ i shpreh falënderimet e përzemërta mediave vendore dhe të huaja, të cilat na kanë mbështetur në vazhdimësi përmes publikimeve të tyre të rregullta.

Gjatë muajit prill priten finalizimet e punimeve të pjesëmarrësve të përzgjedhur ndërsa po gjatë kësaj kohe do të kontaktohen edhe pjesëmarrësit e debatit, ku Organizatat Studentore dhe Këshillet/Klubet e tjera qoftë të institucioneve të arsimit të lartë apo të shoqërisë civile, do të kenë rastin të dërgojnë pjesëmarrësit e tyre.

Me këtë rast, iu bëjmë thirrje organizatave biznesore dhe jobiznesore që të kontribuojnë në këtë konferencë përmes mbështetjes së disa pikave që duhen për realizim të suksesshëm: posterët, materialet e konferencës (çantat prej letre, stilolapsa dhe fletore), bexhat identifikues dhe shishe ujë për pjesëmarrësit.

Synohet të krijohet edhe çmimi Best Paper Award si dhe ai Best Conference Selfie Award. Këto mund të arrihen me ndihmën e atyre që vlerësojnë këtë konferencë si nismën që do të nxisë ndryshime rrënjësore në mendësinë e gjeneratave të reja të studentëve. Për çdo ide, mund të shkruani në [email protected] apo në faqet tona në facebook dhe në twitter.

Me këmbëngulje dhe vizion të qartë, gjërat e mëdha, të menduara si të paarritshme, veçmas nga studentët, mund të bëhen të afërta, të prekshme dhe madhështore për kohën në të cilën po jetojmë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)