Konferenca ndërkombëtare studentore kthesë historike e UP-së
Konferena Ndërkombëtare Studentore e Universitetit të Prishtinës pati një program tejet dinamik 6 ditor, i cili përfundoi të shtunën me përcjelljen e të gjithë pjesëmarrësve, të cilët të shprehën admirim dhe entuziazëm për gjithë këtë projekt gjigant, për organizimin, prezantimet, debatin, ekskurzionet dhe mbi të gjitha, mikpritjen e ngrohtë shqiptare, traditë kjo që po thyen kufinjtë.
Presidenti i konferencës, z. Besnik Avdiaj, student i vitit të dytë në Fakultetin Ekonomik, deklaroi se \"studentët janë ambasadorët më të mirë dhe kjo u vërtetua edhe në këtë konferencë, ku me rreth 40 pjesëmarrës nga mbi 20 vende të botës, Kosova i dërgoi një mesazh të qartë botës së civilizuar: diversiteti është vlera jonë e pakontestueshme dhe tani më shumë se kurrë ne jemi të gatshëm që të kontribuojmë në zhvillimet globale përmes ngjarjeve të tilla akademike.\"
Këshilli Organizativ tregon se si kanë pasur shumë sfida dhe barriera që në dukje ishin të pakalueshme, por vullneti i hekurt dhe këmbëngulja e palëkundur e tyre ishin më të fuqishme. \"Por, megjithatë fituam miq të rinj, madje shumë nga ata që nuk besonin në suksesin e këtij projekti historik, tani kanë fituar bindje krejtësisht tjera.\" thotë Avdiaj.
Në anën tjetër, një nga pjesëmarrëset në këtë konferencë, znj. Alina Belikova nga Federata Ruse, shtet ky që nuk e ka njohur Kosovën, tregon se nuk ka asnjë arsye që të mos ketë bashkëpunim mes këtyre dy shteteve. \"Organizimi i mrekullueshëm, i përsosur. Kosova është një vend me potencial të madh. Rusia dhe Kosova duhet të punojnë bashkë që të shohin anët pozitive tek njëra-tjetra.\"
Me shumë entuziazëm, Avdiaj jep mesazh se Kosova ka nevojë për këto suksese. \"Mobilizimi jonë për të ndërtuar ura bashkëpunimi, për të krijuar shkallë drejt sukseseve është ai që na duhet më së shumti këto kohë kur vendi jonë më shumë se kurrë ka nevojë për energjinë rinore.\"
UPISC 2016 hodhi themelet e një historie më ndryshe të universitetit më të madh në vend. Këshilli Organizativ veç sa kanë filluar të mendojnë për edicionin e radhës, i cili ka nevojë për përkrahje nga të gjithë!