Komuna e Prishtinës nënshkruan memorandum me OJQ-në "Toka"
Prishtinë, 13 mars - Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në emër të Komunës së Prishtinës nënshkroi sot një Memorandum Mirëkuptimi me OJQ-në "Toka", në emër të së cilës nënshkroi Drejtoresha Ekzekutive, Jehona Gjurgjeala.
Me këtë memorandum parashihet bashkëpunim i të dy subjekteve për të filluar partneritet në zhvillimin e projekteve të edukimit joformal, që mbështesin dhe e përmirësojnë mësimin shkollor në Komunën e Prishtinës.
Konkretisht, parashihen programe edukative rezidenciale që zgjasin prej 3 ditë deri në 2 javë, të cilat do të mbahen në Qendrën Rezidenciale për të rinj në Gërmi gjatë pranverës dhe verës së vitit 2017.
Qëllimi i këtyre programeve është ofrimi i përvojave edukative rreth natyrës dhe temave të tjera, në një mjedis stimulues për pjesëmarrësit, si dhe për ti motivuar ata që të angazhohen në punë vullnetare, në shërbim të komunitetit.
Si dhe programet edukative jo-rezidenciale, të cilat mbështesin planprogramin mësimor në shkollat e Prishtinës, sidomos në zonat rurale, si dhe me programe të edukimit në natyrë në Parkun Gërmia.