24 Dhjetor 2024

Komuna e Prishtinës ka prioritet buxhetin e arsimit për vitin 2015

Prishtinë, 22 gusht - Në dëgjimin e shtatë me qytetarë të organizuar nga Komuna e Prishtinës, u diskutua lidhur me planifikimin buxhetor për Drejtorinë e Arsimit që përfshin 30% të buxhetit total të Komunës së Prishtinës.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti e filloi këtë diskutim me faktin se Ministria e Financave vazhdon të refuzojë ta pranojë që Prishtina ka më shumë nxënës dhe si rezultat i kësaj në vazhdimësi buxheti i Komunës mbetet deri në 500 mijë euro minus për paga në fund të vitit, duke krijuar situatë që të rrezikohen pagat e mësimdhënësve.

“Ne këtë vit do të dorëzojmë buxhetin, me plotësimin e nevojave që i ka Komuna e Prishtinës, pavarësisht prej kufijve që i ka caktuar Ministria e Financave, në mënyrë që t’iu bëhet e qartë edhe një herë se këto janë nevojat e Komunës sa i përket buxhetit. Në muajin shtator, nëse nuk do të paraqitet ndonjë ankesë ose pengesë në prokurim, me shujtat për klasat 1 deri në 5 si dhe me dollapët për këto cikle me qëllim të lehtësimit të çantave.

Ne, po ashtu, kemi diskutuar ndryshimin që duam ta bëjmë, kalimin prej naftës në forma më eficente të ngrohjes dhe sivjet do ta provojmë me një pilot projekt që në gjashtë shkolla të Prishtinës të kalojmë me ngrohje me palet që kushton më lirë se nafta dhe është më ambientale.

Një prej probleme kryesore mbetet ngarkesa në disa shkolla të Prishtinës fakt që parashtron nevojën për shkolla të reja në lagjet të cilat nuk kanë shkolla, por edhe në disa lagje ku ka shkolla por që nuk mund ta përballojnë numrin e madh të nxënësve që i kanë”, u shpreh z. Ahmeti.

Kështu në kuadër të kornizës së shpenzimeve afatmesme, kryetari Ahmeti, bëri të ditur edhe ndërtimin e shkollës në lagjen e "Kalabrisë", tek “banesat e arabëve”, për shkak të ndërtimeve të shumta që janë bërë në këtë pjesë të kryeqytetit, zgjidhjen e problemit me objektin e shkollës në lagjen "Sofali", ndërtimin e shkollës në lagjen e re në Veternik, ndërtimin e shkollës në lagjen “Arbëria 3", si dhe zgjidhjen e problemeve me numrin e madh të nxënësve në dy shkolla, "Faik Konica" në qendër dhe shkarkimi i shkollës "Hasan Prishtina" në lagjen "Ulpianë".

Kryetari Ahmeti i njoftoi të pranishmit edhe me planet për hapjen e çerdheve të reja gjatë viteve në vijim, në çdo lagje të qytetit dhe në pjesët rurale ku është e nevojshme, qoftë përmes ndërtimit apo edhe përmes marrjes me qira të objekteve.

“Një prej prioriteteve tona janë çerdhet të cilat tashmë po i ndërtojmë me modelin që mos të varemi nga ministria që për çdo çerdhe të jemi të detyruar të presim nga një vit, por duke u bazuar në Udhëzimin Administrativ të vitit 2007 që lejohen çerdhet në bashkëpunim me komunitetin, ndërsa jemi duke e testuar këtë model në lagjen "Mati" si dhe parashihen edhe tri çerdhe të reja sivjet. Vitin e ardhshëm në bashkëfinancim me Komisionin Evropian e ndërtojmë një çerdhe në lagjen "Arbëria", ku pjesën më të madhe, 70 %, e paguajnë ata, ndërsa 30 % ne”, deklaroi z. Ahmeti.

Kryetari Ahmeti përmendi edhe planifikimin e ndërtimit të “Muzeut Shkencor për Fëmijë”, me ç’rast Prishtina do të bëhej Komuna e vetme me një muze të tillë. “120 mijë euro janë të ndara edhe për vendosjen e kamerave të sigurisë nëpër shkolla, gjë që do të bëhet krahas me projektin “Qyteti i sigurt” që do të nënkuptonte instalimin e kamerave në tërë komunën e Prishtinës”, tha Ahmeti, i cili shtoi se nga buxheti i Drejtorisë së Arsimit për vitin 2015 janë planifikuar rreth 17 milionë euro për paga dhe mallra e shërbime, ndërsa 4 milionë e 100 mijë euro parashihen në buxhet për investime kapitale, ndërsa i gjithë buxheti i arsimit është mbi 20 milionë.

Kryetari i komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti u zotua se do të jetë i përkushtuar në përmirësimin e cilësisë së arsimit në shkollat e Prishtinës. Ai përmendi edhe digjitalizimin e ditarëve gjatë tre viteve të ardhshme, në mënyrë që shënimet dhe suksesi i nxënësve të ruhet edhe në formë digjitale dhe komunikimi me prindërit të jetë më efikas dhe i shpejtë.

“Me drejtoreshën e arsimit, Arbërie Nagavcin, e kemi diskutuar hapjen e gjimnazit matematikor të Prishtinës që do të jetë gjimnaz i cilësisë së lartë që do të fillojë me tri paralele ku do të japin mësim profesorë të Fakultetit të shkencave natyrore të Universitetit të Prishtinës, e që do të jetë gjimnaz profesional ku do të regjistrohen nxënësit më të mirë nga Kosova”, u shpreh kryetari Ahmeti.

Në anën tjetër, të pranishmit që ishin kryesisht punonjës të sektorit të arsimit shprehën mendimet e tyre lidhur me mundësinë e përmirësimi të praktikave mësimore, si dhe problemet me të cilat ballafaqohen ata gjatë kryerjes së  punës së tyre.

Ky cikël i dëgjimeve publike do të përmbyllet me seancën dëgjimore për Drejtorinë e Shëndetësisë, në ora 16.00, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), si dhe me diskutimin përmbyllës që do të mbahet në ora 18, në sallën e Kuvendit Komunal.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)