Komuna e Klinës ndau kontratat për bursa studentëve të dalluar
Klinë, 25 shtator - Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, ka ndarë kontratat për bursa të studentëve të dalluar të Komunës së Klinës, të cilët janë përzgjedhur nga komisioni komunal.
Mjetet për bursa, 10 mijë euro, 500 euro për student, janë ndarë nga buxheti i zyrës së kryetarit.
Në ceremoninë e organizuar me ketë rast, Bashota ka uruar studentët klinas në rrugëtimin e tyre të dijes me shpresën se ata një ditë do të kontribuojnë në zhvillimin e vendit e të Klinës.
“ Rinia është e ardhmja e vendit. Komuna e Klinës me të gjitha mundësitë buxhetore është duke bërë përpjekje që të ndihmojë këtë kategori në rrugën e dijes."
"Me ndarjen e këtyre bursave po krijojmë mundësi për përgatitje të shkallës intelektuale. Ju do të punoni dhe ktheheni në vendin tuaj për të dhënë kontributin në zhvillimin e qytetit të Klinës. Me këto bursa po përgatisim studentë të dalluar për vendin”- ka thënë me ketë rast kryetari Bashota.
Në anën tjetër, studentët kanë falënderuar kryetarin Sokol Bashota për përkujdesjen e treguar ndaj tyre dhe kjo do të jetë një motiv shtesë për angazhim edhe më të madh në rrugën e tyre të dijes. Kryetari Bashota ka premtuar dyfishimin e bursave për studentët klinas.