Komiteti i Arsimit kërkon largimin e përmbajtjeve ofenduese nga tekstet shkollore
Gjilan, 1 nëntor - Komiteti i Arsimit i Komunës së Gjilanit ka mbajtur mbledhjen e fundit për këtë mandat, ku ka diskutuar disa prej çështjeve aktuale në fushën e arsimit, duke kërkuar që sa më parë të funksionalizohet çerdhja e re në lagjen “Dardania I”, ndërkohë që përfaqësuesit e Drejtorisë së Arsimit kanë dhënë njoftime në lidhje me konkurset e fundit për disa drejtorë të shkollave.
Komiteti ka kërkuar që sa më parë të pajisen me ditarë pune të gjithë mësimdhënësit dhe të mos kërkohet prej tyre që të blejnë fletore pune si zëvendësim të ditarëve, që është obligim i Komunës t`i sigurojë.
Kryesuesi i kësaj trupe komunale, Arben Mehmeti, ka thënë se Komiteti i Arsimit ka reaguar publikisht ndaj përmbajtjes së disa teksteve shkollore, ku diskreditohen fëmijët me sindromën down dhe ka kërkuar nga Ministria e Arsimit që urgjentisht të merret me këtë problematikë dhe të mënjanojë përmbajtjet e tilla skandaloze, sepse të gjithë fëmijët, pa dallim janë pjesë e barabartë e shoqërisë.
Përndryshe, në këtë takim, të fundit për këtë përbërje, anëtarët e Komitetit u shprehën në mënyrë afirmative për punën e kësaj trupe komunale, e cila nga shoqëria civile është vlerësuar si një nga komitetet më të suksesshme në nivel vendi, meqë ka dhënë rekomandime, udhëzime e sugjerime profesionale, përmbajtjesore e konsensuale në shumicën e rasteve.
“Këto parime të punës së kësaj trupe komunale, kanë qenë model se si duhet të funksionojë një ekip profesional në kryerjen e obligimeve të veta”, ka thënë Arben Mehmeti, kryesues i Komitetit të Arsimit.