Komisioni për Arsim miratoi në parim Projektligjin për Arsimin e Lartë
Prishtinë, 2 prill - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, mori pjesë në takimin e Komisionit Parlamentar për Arsim, i cili e miratoi në parim Projektligjin për Arsimin e Lartë, për ta përcjellë kështu në lexim të parë në Kuvend.
Para anëtarëve të Komisionit, ministri Buja elaboroi ndryshimet që janë bërë në këtë Ligj, ndërsa theksoi se interesimi i MAShT është që sa më parë të miratohet në Kuvendin e Kosovës dhe të rregullojë shumë çështje. Unë besoj se ky ligj do të jetë shumë më i mirë se ai që e kemi, sepse ka pasur defekte që kanë vështirësuar punën në këtë nivel të arsimit, tha ministri Buja.
Ministri Buja, shfrytëzoi këtë takim që të japë edhe lajmin për vendimin e Qeverisë së Kosovës për zbritjen për 50 përqind të tarifave për studime në universitet, e po kaq edhe të banimit dhe ushqimit në Qendrën e Studentëve.
Gjatë këtij takimi u fol edhe për peshën e rëndë të çantave të nxënësve, me çrast ministri Buja tha se MAShT është duke punuar për mundësinë e vendosjes së sirtarëve në shkollat e Kosovës, por tha se duhet të analizohen edhe oraret mësimore dhe të mendohet që me kurrikulat e reja të mos ngarkohet kjo çantë.