Kolegjet shkelin ligjin, thirren si universitete
Prishtinë, 30 maj - Disa herë është ngritur si problem i madh që kolegjet private, edhe pse janë të akredituar si bartëse të arsimit të lartë, në ueb- faqet e tyre, por edhe nëpër reklama, thirren si universitete. Kjo është e ndaluar, por duket se privatët nuk lodhen shumë për këtë gjë.
Anëtarët e Komisionit për arsim në Kuvendin e Kosovës disa herë kanë bërë thirrje që kjo të mos ndodhë, por deri sot kolegjet vazhdojnë ta quajnë veten universitete.
Që ka probleme të këtilla e pranon edhe Ferdije Zhushi, kryetare e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, e cila thotë se këtë problematikë do ta zgjidhin me MASHT-in.
\"Emërtimi i institucioneve është i rregulluar me Udhëzimin Administrativ për licencim. Sipas këtij udhëzimi, asnjë institucion nuk mund të përdorë emërtim tjetër përveç atij me të cilin është akredituar dhe licencuar. Shpresoj se shpejt, në konsultim edhe me Agjencinë e Akreditimit, MASHT-i do ta rregullojë këtë çështje\", ka thënë ajo.
/Kosova Sot/