KMDLNj prezenton shqetësimet e studentëve dhe mësimdhënësve
Prishtinë, 14 prill - Për shkak të vërejtjeve të shumta drejtuar KMDLNj-së e që janë nën përgjegjësi të MASHT-së përfaqësues të KMDLNj-së takuan ministrin Arsim Bajrami për ti prezentuar shqetësimet e studentëve, mësimdhënësve dhe të diplomuarve brenda dhe jashtë vendit.
Mungesa e profesorëve në ligjeratë dhe në provime në UP Hasan Prishtina është shndërruar në dukuri e që ndikon në cilësinë e mësimdhënies dhe mësimnxënies sikur edhe në vlerësimin e drejtë në provime.
Zëvendësimi i shumfishtë i profesorëve është shndërruar në rregull se si nuk duhet të veprohet në këtë institucion të lartë arsmitor. Gradimet e pamerituara që në mungesë të profesionalizmit bëhen në baza politike dhe partiake edhe më shumë po e degradon Universitetin e Prishtinës.
KMDLNj i paraqiti vërejtje ministrit Bajrami edhe për organizatat studentore që përfaqësojnë dhe duhet ti mbrojnë interesat e studentëve e që janë të skematizuara politkisht dhe në baza partiake.
Shqetësim i radhës ishte edhe mospërmbushja e detyrimeve të marrëveshjes me Shqipërinë për nostrifikimin e diplomave apo dinamika shumë e ngadalësuar e shqyrtimit të rasteve. Për këtë ka pasur protesta të studentëve të diplomuar të pakënaqur me procesin e nostrifikimit të diplomave.
Edhe studentët e Luginës së Preshevës e që kanë diplomuar në Universitetin e Prishtinës po përballen me probleme të shumta në Serbi gjatë punësimit ngase nuk po u pranohen kualifikimet e nxëna në Kosovë.
Problemet e shkollimit dhe aftësimit profesional për personat e privuar nga liria, mungesa e literaturës, kuadrit profesional mësimor, problemet për fillimin e vitit shkollor sidomos në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan, mungesa e shtypit ditor, aktivitetet e pakta kulturore ishin brengat e KMDLNj së prandaj kërkuan përkrahjen e MASHT it dhe ministrit Bajrami që të tejkalohen këto probleme.
Ministri Bajrami u pajtua se ka probleme në arsimin universitar mirëpo tha se gjendja po shkon duke u përmirësuar kurse problemet me nostrifikim janë shkaku se verifikimi i dokumentacionit po merr kohë sikur se Serbia po nxjerrë probleme në këtë drejtim.
Ministri Bajrami premtoi se do të angazhohet që biblotekat e Qendrave të Paraburgimit dhe Qendrave Korrektuese të furnizohen me literaturë të nevojshme për shkollim dhe aftësimin profesional, se do të përkrahë rritjen e aktiviteteve kulturore për personat e privuar nga liria dhe se për këtë MASHT do të nënshkruaj një Marrëveshje Bashkëpunimi me KMDLNj.