23 Dhjetor 2024

KMDLNj përkrah angazhimin e shoqërisë civile në UP

Prishtinë, 3 mars - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë vlerëson pozitivisht anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues Shefkije Islamaj, Halim Hyseni, Luan Shllaku dhe Leon Malazogu dhe shpreson që kontributi i tyre në zhbllokimin e gjendjes në këtë Universitet do të jetë domethënës nëse kemi parasysh se përvoja e tyre mbështetet në profesionalizmin e tyre dhe se nuk i nënshtrohen një agjende politike apo grupeve të caktuara të interesit që e sollën Universitetin në këtë gjendje.

KMDLNj përkrah sidomos angazhimin e anëtarëve të shoqërisë civile, z.Luan Shllaku dhe Leon Malazogu duke konsideruar si cilësi të re dhe fuqizimin e rolit të shoqërisë civile në proceset vendimmarrëse në interes të qytetarit.

Universiteti “Hasan Prishtina”, për një kohë të gjatë është përfshirë në afera të korrupcionit intelektual dhe material duke e zhvlerësuar skajshmërisht rolin edukativ që është edhe mision i këtij Universiteti.

Që nga përfundimi i luftës, Universiteti i Prishtinës ka qenë i ndikuar politikisht dhe asnjë pozitë (sidomos ato të larta) nuk janë plotësuar në bazë të kritereve profesionale, intelektuale, morale dhe menaxheriale. Për këtë arsye KMDLNj në vazhdimësi ka kërkuar vendosjen e rregullit në këtë Universitet e sidomos largimin e politikës nga emërimi i rektorëve dhe dekanëve.

Në këtë kontekst KMDLNj ka përkrahur kërkesën për largimin e rektorit të mëparshëm, largimi e anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe vendosjen e rregullit. Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka nevojë për një rirregullim të brendshëm në planin profesional dhe menaxherial, hetim të rasteve ku dyshohet se ka pasur keqpërdorime, dhënie të hapësirës më të madhe kuadrove që realisht mund të kontribuojnë në ngritjen e cilësisë së mësimdhënies sepse UP “Hasan Prishtina” në aspektin e cilësisë akademike mund të llogaritet i rënë për të toke.

Është interes i të gjithëve që Universiteti i Prishtinë “Hasan Prishtina” ta rimarrë veten dhe ta luaj rolin që i takon. Është koha që antivlerat me tituj shkencorë të dyshimtë dhe të vjedhur (kopjuar) të largohen nga postet në Universitetin “Hasan Prishtina”  duke filluar nga Senati, te MASHT sikur që duhet të hetohen rastet të dyshuara edhe në Akademinë e Shkencave të Arteve të Kosovës; nga emërimi i akademikëve në baza pariake, monopoli partiak dhe politik deri te ajo se kujt i shërben kjo Akademi. Përfundimisht, arsimi është në gjendje të rëndë, në Kosovë, nga ai fillor (bazik) deri te ai universitar.

Për këtë arsye Kosova nuk po është në gjendje t’i ofrojë tregut intelektual evropian dhe botëror kuadro konkuruese. Përfundimisht, me këtë sistem të zingjirit arsimor në Kosovë ku nuk funksionon si duhet as një hallkë e vetme Kosova po prodhon më shumë analfabetë me diploma dhe intelektualë me vlera të dyshimta. Prandaj, edhe e kemi këtë gjendje në shëndetësi, ekonomi, politikë, zhvillim, kulturë etj.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)