25 Dhjetor 2024

KMDLNJ kundër protestave të dhunshme

Prishtinë, 4 dhjetor - Monitorues të KMDLNj-së kanë monitoruar protestën e organizuar nga OVL të UÇK-së që ka filluar në ora 12:00 dhe ende është duke vazhduar.

Në protestë kanë marrë pjesë afërsisht 1000 protestues që kanë ardhur para rektoratit në ora 12:10. Monitorues të KMDLNj-së paraprakisht kanë biseduar me përgjegjësit e Policisë së Kosovës.

Sipas monitoruesve të KMDLNJ-së, rreth objektit të rektoratit ka pasur policë të cilët pastaj janë larguar ndërsa një numër i tyre janë vendosur në hyrje të rektoratit. Brenda objektit të rektoratit janë vendosur pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë.

Protestuesit kanë kërkuar përmbushjen e kërkesës së tyre për regjistrimin e 1050 studentëve me automatizëm në bazë të një Marrëveshjeje të nënshkruar midis ish rektorit Mujë Rugova dhe OVL e  UÇK-së dhe një kërkesë – urdhëresë të  ministrit të MASHT që i është drejtuar rektorit aktual Ramadan Zejnullahut për regjistrimin e të gjithë atyre që janë në listat që i ka dorëzuar OVL e UÇK-së.

Protestat kanë filluar në mënyrë të qetë e që pastaj kanë eskaluar, gjatë përpjekjeve të disa protestuesve që më dhunë të hynë brenda objektit të rektoratit gjë që është penguar nga Policia e Kosovës.

Parullat kryesore që janë brohoritur gjatë protestave kanë qenë: UÇK, UÇK dhe ajo e cila ka kërkuar dorëheqjen e rektoratit . Folësit e shumtë , përvec se kanë përsëritur kërkesat e tyre ata kanë kundërshtuar të gjithë ata që nuk janë pajtuar me këto kërkesa , mediat,shoqëria civile dhe Institucionin e  Avokatit të Popullit.

KMDLNJ mbron të drejtën e qytetarëve për protesta paqësore dhe dinjitoze si e drejtë elementare e njeriut për shprehje të paknaqësisë mirëpo është kundër protestave që ndikojnë në përshkallzimin e situatës.

KMDLNJ tërheq vërejtjen se këtyre protestave u ka parprirë një fjalor jotolerant nga organizatorët të cilët kanë dërguar mesazhe se nuk do të ketë qetësi në Kosovë deri sa nuk regjistrohen 1050 kandidatë të listës së OVL të UÇK-së. Këto deklarime kanë qenë publike dhe kërcënuese.

KMDLNJ, që nga bërja publike e kësaj kërkese ka kundërshtuar regjistrimin me automatizëm të 1050 kandidatëve nga lista dhe ka kërkuar nga rektori Ramadan Zejnullahu të veprojë në përputhje me Ligjin mbi Arsimin e Lartë duke theksuar se në asnjë shtet të së drejtës Marrëveshje nuk mund të jetë mbi ligjin sikur që po bëhen përpjekje të veprohet në Kosovë.

KMDLNJ e ka pasur këtë listë para një muaji andaj ka reaguar kundër kësaj liste sepse në të gjenden emra që nuk kanë të bëjnë fare me kategoritë e dala nga lufta.Në këtë kontekst KMDLNJ kërkon të hetohet kjo listë sikur edhe listat e mëparshme ( që nga data e nënshkrimit të Marrëveshjes) dhe në rast se ka pasur shkelje apo manipulime ndaj përgjegjësve të ndërrmirren  masa ligjore.

KMDLNJ del në përkrahje të fëmijëve të dëshmorëve dhe kategorive të tjera të dala nga lufta duke u krijuar lehtësira gjatë vendosjes në konvikte , ndarjes së bursave , lirimit nga taksat dhe pagesa e semestrave si dhe abonimit në mensë, lirimi i pagesës në transport publik , shërbimet shëndetësore etj., por fuqishëm e kundërshton regjistrimin në bazë të automatizmit duke e shkelur konkursin.

Shkelja e konkursit duke favorizuar lista automatike është diskriminim që është i papranueshëm në një shoqëri demokratike dhe shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. Vetën konkursi përcakton kriteret dhe kushtet për regjistrim në Universitet.

KMLNJ kërkon të hetohet baza ligjore në bazë të së cilës është mundësuar që Marrveshje të jetë mbi Ligjin për Arsimin e Lartë gje që nuk ndodhë në shtetet ku funksionon ligji.

Eskalimi i situatës ka qenë i panevojshëm , është i papranushëm dhe nuk është mjet për zgjidhjen e problemeve. Përpjekja për të hyrë në objektitin e rektoratit nga një numër i protetuesve është veprim i dënueshem sikur që është e papranueshme praktika e imponimit te një diskursi të dhunshëm verbal kundë rektorit aktual Ramadan Zejnullahut i cili po detyrohet të hjek dorë nga vendosja e një rendi dhe rregulli në Universitetin Hasan Prishtina në Prishtinë.

Rektori nuk ka çka të pret as fjalën e kryeministrit e as të ministrit por duhet të veprojë në përputhje me Ligjin mbi Arsimin e Lartë. Vetëm në këtë mënyrë mund të mbrohet autonomia e Universitetit të Prishtinës.

Gjatë këtyre protestave janë lënduar lehtë disa protestues dhe dy policë.

KMDLNj deri në kohën e raportimit 15:40 minuta konstaton se sjellja e Policisë së Kosovës ka qenë korrekte sikur që ka qenë korrekte sjellja e protestuesve përjashtuar grupe që kanë bërë thirrje dhe përpjekje të hyjnë në mënyrë të dhunshme brenda objektit të rektoratit. Numri i protestuesve në momentin e raportimit është afërsisht 500 veta.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)