KMDLNj kërkon nga studentët të mbështesin rektorin Zejnllahu
Prishtinë, 29 shtator - Përfaqësues të KMDLNj së më datë 29.09.2014 janë takuar me rektorin e Universitetit Hasan Prishtina Ramadan Zejnullahu i cili i njoftoi me gjendjen në të cilën gjendet ky Institucion të cilën e përshkroi si shumë të rëndë.
Zejnullahu shpreh shqetësim për numrin e madh të studentëve (familjarë të dëshmorëve dhe veteranëve të luftës) që kanë aplikuar për pranim në Universitetet e Prishtinës e i cili është 600. Z. Zejnullahu tregon se fëmijët e dëshmorëve të luftës do ti kenë 5 pikë bonus mirëpo që të gjithë do ti nënshtrohen testit për pranim në Universitet.
KMDLNj shfaq shqetësim për mosakreditimin e Programit së Departamentit të Matematikës e që po u pamundëson studentëve regjistrimin dhe vazhdimin e studimeve duke ua mohuar njërën ndër të drejtat elementare të njeriut, të drejtën për arsimim.
KMDLNj kërkon që urgjentisht të rishqyrtohet ky vendim jo i drejtë dhe diskriminues duke ua mundësuar studentëve regjistrimin dhe vazhdimin e studimeve.
Nëse AKA nuk e mënjanon këtë pengesë atëherë MASHT duhet të intervenojë në përputhje me ligjin duke ua njohur këtë të drejtë studentëve. Në fakt MASHT duhet ta tërheq refuzimin e kërkesës që i ka bërë rektorit Zejnullahu dhe rektorati i Universitetit Hasan Prishtina për zgjidhjen e statusit të studentëve të Degës së Matematikës e që kanë mbetur pa u regjistruar pa fajin e tyre.
Edhe z. Zejnullahu e theksoi këtë problem i cili kishte kërkuar që këtyre studentëve tu mundësohet dëgjimi i ligjëratave për të mos humbur 2 muaj deri në takimin që do të mbahet në fillim të nëntorit nga AKA. Të gjithë profesorët kanë shprehur gatishmëri të ligjërojnë pa pagesë deri në akreditim të Degës së Matematikës.
KMDLNj mendon se profili që është përcaktuar të studiojë në degën e Matematikës është shumë deficitarë në Kosovë dhe shumë i nevojshëm prandaj këta studentë që shprehin vullnet për të studiuar në degën e Matematikës jo që duhet të pengohen por, përkundrazi duhet të stimulohen.
KMDLNj e përkrah plotësisht rektorin Zejnullahu në përpjekjet për vendosjen e rregullit në Universitet dhe luftimin e korrupsionit ( dhënia e tenderëve pa bazë ligjore, shitja e notave dhe titujve , punësimi në baza familjare dhe baza klanore të grupeve kriminale të interesit , ngritja e një administrate profesionale dhe të pavarur ) si dhe dukurive të tjera që e kanë devalvuar dhe degraduar skajshmërish këtë institucion të lartë arsimor.
Në këtë kontekst KMDLNJ kërkon që studentët dhe mësimdhënësit e Universitetit Hasan Prishtina të mbështesin rektorin me bashkëpunëtorë duke e vlerësuar angazhimin në përmbushjen e premtimeve programore pasi të ketë kaluar një kohë e jo duke i vënë pengesa pa filluar ende punën .