Kimete Dida merr çmimin tradicional Shaban Jashari
Ky çmim është ndarë për performancën pozitive të mësimdhënësit model, komunikimit të dalluar me nxënës, prindër dhe rezultate të mira. Gjithashtu, ministri ndau mirënjohje edhe për mësimdhënës të tjerë të dalluar, nga një mësimdhënës për secilën komunë.
Këto mirënjohje u ndanë në ceremoninë solemne të organizuar me rastin e 7 Marsit - Ditës së Mësuesit, nga ku ministri Bajrami uroi mësimdhënësit në gjithë Kosovën për këtë ditë të veçantë
Ministri Bajrami, me këtë rast tha se, përveç ngjarjeve të shumta të lavdishme të marsit, në këtë muaj kujtojmë edhe rolin që kanë pasur mësuesit gjatë historisë.
Kujtojmë Shaban Jasharin si një atdhëtar, një veteran të arsimit, i cili diti të luajë rolin e një mësimdhënësi dhe po ashtu të edukojë një familje të tërë në frymën e atdhedashurisë, rezistencës dhe lirisë, dhe dha një provim historik se cili është roli i mësimdhënësit në momente të vështira kombëtare, tha ministri Bajrami dhe theksoi se jo rastësisht ky çmim mban emrin e Shaban Jasharit.
Ministri Bajrami kujtoi edhe kohën kur mësimdhënësit kanë punuar në kushte shumë të vështira dhe bashkë me popullin mbajtën të gjallë shkollën shqipe, por edhe idenë e lirisë, sidomos në vitet 90/99. Të gjithë jemi krenarë për atë periudhë, por edhe jemi të obliguar të njohim atë punë, të njohim rolin e mësimdhënësve.
Sa jemi krenar për rolin që kemi pasur si mësimdhënës, theksoi ministri Bajrami, aq jemi të vetëdijshëm për rolin që duhet ta kemi sot, sepse sot të qenit mësimdhënës është një profesion krenar dhe jemi shumë të lumtur që është një nga profesionet më të kërkuara në tregun e punës.
Duke e vlerësuar lartë figurën e mësimdhënësit dhe rolin që ka për reformat në arsim, ministri Bajrami theksoi se Kosova është vendi me numrin më të madh të të rinjve, të cilët meritojnë arsim cilësor.
Instrumenti më i mirë për ta ngritur cilësinë në arsim janë mësimdhënësit e përgatitur, tha ai, ndërsa u shpreh i bindur se së bashku mundemi që Kosovës tia krijojmë një sistem të avancuar të edukimit.
Mësuesja, e cila mori çmimin Shaban Jashari, znj. Kimete Dida, u shpreh mirënjohëse për këtë çmim, për të cilin tha se i jep fuqi për të vazhduar edhe më tutje me përkushtim në misionin e shenjtë të edukimit të brezit të ri.
Ne arsimtarët duhet të jemi koshient për rolin që kemi në transformimin e shoqërisë sonë duke punuar me nxënësit tanë në zbatimin e parimeve etike, humaniste, të siqeritetit, ndershmërisë dhe sjelljes e kulturës, që janë bazë për të ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe prosperuese, tha ajo.