KFOR-i turk renovon klasat parashkollore të shkollës "Mati Logoreci" në Prizren
Prizren, 1 tetor - Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka dhe Drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prizren, Xhemile Thaçi-Vezgishi, gjatë ditës së sotme morën pjesë në përurimin e klasave parashkollore të ShFMU “Mati Logoreci”, të cilët u renovuan nga Kryesia e Këshillit Turk në Kosovë.
Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, në deklarimin e tij theksoi se ky investim ka qenë më se e nevojshme për shkollën "Mati Logoreci", ngase është njëra nga shkollat më të vjetra në komunën e Prizrenit.
"Ky investim ka qenë më se e nevojshme për shkollën 'Mati Logoreci', ngase është njëra nga shkollat më të vjetra të komunës sonë. Rregullimi dhe funksionalizimi i hapësirave shkollore është njëra nga prioritetet kryesore të qeverisjes sonë, andaj falënderojmë KFOR-in Turk për investimet dhe mbështetjen e vazhdueshme në këtë drejtim.", tha Haskuka.
Ndërsa drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Xhemile Thaçi-Vezgishi, gjatë fjalimit të saj dha detajet e projektit.
"Në kuadër të këtij projekti janë renovuar tërësisht klasat, dyshemeja e instalimi elektrik, si dhe këto klasa janë pajisur me pajisje teknologjike dhe shkollore, të përshtatshme për fëmijët parashkollorë." tha Thaçi-Vëzgishi.
Kujtojmë se Kryesia e Këshillit Turk në Kosovë, edhe në të kaluarën kishte investuar në renovimin e disa shkollave në pjesë të ndryshme të komunës së Prizrenit.