Këshilltarët e Bujës kanë pushtuar bordet e universiteteve publike
Prishtinë, 10 mars - Këshilltarët e ministrit të Arsimit, Ramë Buja, përveç në Ministri, janë angazhuar edhe nëpër bordet e universiteteve publike të qyteteve jashtë Prishtinës.
Kështu, Drita Kadriu është anëtare e Bordit Drejtues të Universitetit të Mitrovicës, Selvie Halimi në atë të Prizrenit, Arbër Morina në atë të Gjilanit, kurse Naser Mrasori është emëruar rektor në Universitetin publik të Pejës.
Mrasori ka qenë këshilltar politik i ministrit Buja deri në kohën e emërimit rektor i UP të Pejës.
E pos në bordet drejtuese në universitetet publike, dy nga këshilltarët, përkatësisht Ragip Gjoshi dhe Elmi Ramadani, janë anëtarë edhe në Bordin e Qendrës së Studentëve.
Për më tepër Gjoshi deri tani ka qenë anëtar edhe në Bordin e Këshillit Kombëtar të Kualifikimeve.
/Koha Ditore/