KES diskutoi për vendosjen e kodit për asistentë në klasat e integruara
Prishtinë, 3 maj - Këshilli Ekonomiko-Social, i kryesuar nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka mbajtur sot takimin e radhës ku është diskutuar edhe për kërkesën e Ministrisë për hapjen e një kodi të veçantë për punësimin e asistentëve në klasat e integruara.
Ministri Shyqiri Bytyqi theksoi faktin se një ndër prioritetet e MAShT është gjithëpërfshirja dhe Ministria po bën përpjekje të vazhdueshme për mundësi të barabarta të çasjes në arsim për të gjithë.
Prandaj, Ministri theksoi se klasat e integruara, pra ato klasa ku janë të përfshirë edhe fëmijët me nevoja të veçanta, kanë nevojë për asistentë. “Pra, në këto klasa është mësimdhënësi i rregullt dhe kërkojmë që të jetë edhe asistenti, i cili merret me fëmijët me nevoja të veçanta”, sqaroi ministri Bytyqi.
Ministri, po ashtu theksoi se trajnimet për këta asistentë janë përfunduar me një projekt të Luksemburgut dhe kërkohet vetëm kodi, në mënyrë që të fillohet puna në këtë drejtim.
Këshilli Ekonomiko-Social, me këtë rast, e mandatoi Komisionin profesional për aftësim dhe punësim që të punojë në vendosjen e kodit dhe brenda dy javësh t’i raportojë Këshillit.
Gjatë këtij takimi u diskutua edhe raporti i Komisionit profesional për legjislacion lidhur me procedurat e hartimit të Marrëveshjes së përgjithshme kolektive.