Kërkojnë shqyrtimin e provimit pranues
Prishtinë, 4 gusht - Kandidatët për studentë në Fakultetin e Mjekësisë, paralajmëruan se nesër do të protestojnë para rektoratit të Universitetit të Prishtinës, në shenjë pakënaqësie për disa parregullsi në provimin pranues.
Kandidatët kërkojnë që të rriten numri i studentëve të pranuar në Mjekësi, pasi siç thanë janë dëmtuar nga gabimet në test.
Ndërkohë, Rektorati i Universitetit të Prishtinës, ka marrë vendim për themelimin e një komisioni në nivel të universitetit për të ri-shqyrtuar ankesat e paraqitura brenda afatit të konkursit nga kandidatët që kanë aplikuar në Fakultetin e Mjekësisë.
Një grup kandidatësh që kanë konkurruar për regjistrim në Fakultetin e Mjekësisë, nesër do të protestojnë para rektoratit të Universitetit të Prishtinës, për të kërkuar rritjen e numrit të të pranuarve në këtë Fakultet.
Arjanit Beqiri, anëtar i kryesisë së Këshillit të Nxënësve të Shkollave të Mesme të Kosovës, tha se kandidatët kërkojnë që të shqyrtohet provimi pranues, për të cilin tha se ka dyshime se ka pasur gabime. Ai tha se do të protestojnë edhe duke zbardhur ditën para rektoratit deri sa të realizohen kërkesat e tyre.
Ne kërkojmë me rritë numrin e studentëve që janë dëmtuar nga testi, që nuk ka ditur ta përpilojë dekanati. Numri sa është 50, 100 apo 150 është çështje tjetër. Protesta do të vazhdojë disa ditë me radhë, që nënkupton se ne do ta flemë çdo natë këtu deri në realizimin e kërkesave tona, tha ai.
Kandidatja për studente në Fakultetin e Mjekësisë, Anita Kasumi, tha se gabimet në provimin pranues kanë ndikuar edhe në rezultatin e tyre, që siç tha kanë mbetur pa u pranuar rreth 50 studentë.
Në ditën e testiti pranues dy prej pyetjeve nga lënda e kimisë të grupit A ishin të formuluara në mënyrë jo të duhur, me crast ndikuan edhe në rezultatin tonë. Këto pyetje rezultuan në mospranimin e studentëve në Fakultetin e Mjekësisë. Aq më keq, personeli i Fakultetit i demantoi aludimet për gabimet në testin pranues, duke u arsyetuar se këto gabime nuk kanë ndikuar në rezultat, tha ajo
Ndërkohë, Rektorati i Universitetit të Prishtinës, ka marrë vendim për themelimin e nje komisioni në nivel të universitetit për të ri-shqyrtuar ankesat e paraqitura brenda afatit të konkursit nga kandidatët që kanë aplikuar në Fakultetin e Mjekësisë.
Tashmë janë caktuar pesë anëtarë të komisionit që do të bëjnë ri-vlerësimin dhe do të vendosin lidhur me vlerën dhe efektet e lëshimeve teknike. Ky vendim do ti përcillet senatit për miratim në mbledhjen e radhës.(RTK)