Keqpërdouresit e testit të maturës në procedurë hetimore
Prishtinë, 17 qershor - Referuar mbajtjes së testit të Maturës-2016 të organizuar nga MASHT-i, Policia e Kosovës në të gjitha rajonet policore i ka ndërmarrë masat e nevojshme policore në aspektin e sigurisë.
Bazuar në rrethanat dhe informacionet e pranuara me datë 04/06/2016 nga zyrtarët kompetent të MASHT-it, për dyshimet e mundshme se dy persona kanë publikuar testin e Maturës në rrjetin social Facebook, Policia e Kosovës me njësitet relevante të krimeve kibernetike ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme për zbulimin e rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar.
Si rezultat i bashkëpunimit me MASHT-in dhe si rezultat veprimeve të shpejta të zyrtarëve policor, po të njëjtën ditë (04/06.2016) është identifikuar dhe intervistuar personi i dyshuar N.I. me dyshimin se i njëjti ka kryer vepër penale Hyrje në sistemin kompjuterik, përderisa personi i dytë i dyshuar është në procedurë hetimore.
Ndërsa me datë 08/06/2016 nga zyrtarët e MASHT-it kemi pranuar informacione shtesë lidhur me dyshimet për përfshirje edhe të disa personave tjerë, që po ashtu dyshohet se kanë bërë publikimin e testit të Maturës në rrjetin social Facebook, ndaj të cilëve Policia e Kosovës ka nisur procedurat e verifikimit dhe hetimit.
Policia e Kosovës në bashkëpunim me MASHT-in, do të ndërmerr të gjitha masat e nevojshme të sigurisë me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla, si dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të të gjithë personave të dyshuar që janë përfshirë apo mund të përfshihen në vepra të tilla penale.