Kamerat ndikojnë në parandalimin e problemeve në shkolla
Mitrovicë, 22 janar - Vendosja e kamerave në disa shkolla të Mitrovicës ka ndikuar pozitivisht në mbarëvajtjen e procesit mësimor.
Duke parë këtë, drejtuesit e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Mitrovicës, kanë vendosur që të rrisin numrin e shkollave ku do të vendosen kamerat.
Ata janë të kënaqur me efektin e këtyre kamerave në parandalimin e problemeve të ndryshme.
Në Drejtorinë e Arsimit thonë se këtë projekt e kanë nisur para tre vitesh në formë pilot-projekti, për të parë efektet e tij. Drejtori Ali Bejta, thotë se janë të vendosur që aq sa u lejojnë mundësitë buxhetore të mbulojnë të gjitha shkollat me sistemin e kamerave për vëzhgim.
Ne i kemi sistemuar, i kemi vendosur në 11 shkolla këto kamera dhe tani jemi në finalizim e sipër edhe me internet
Ai thotë se projektin e kanë realizuar me mjetet buxhetore nga qeveria, nga grandi dhe nga komuna. Kemi investuar që tri vite dhe tani për tani i kemi 11 shkolla të instaluara këto kamera.
Për efektin e tyre flasin edhe drejtorët e shkollave. Drejtori i shkollës së mesme të ulët Migjeni, Hamdi Shyti, thotë se menjëherë pas vendosjen së tyre është vërejtur një rënie e problemeve që kanë ndodhur nëpër shkolla.
Efekti i kamerave jashtëzakonisht efektiv për nxënësit, arsimtar dhe për gjithë personelin. Jam i mahnitur vet, por edhe arsimtarët me disiplinën që është krijuar prej nxënësve, por edhe vet arsimtarët meqë përcillet prej zyres sime. Jemi të befasuar për të mirë.
Zyrtarët komunalë të arsimit pranojnë se përveç zvogëlimit të rasteve të dëmtimit të pronës shkollore, kamerat e vendosura kanë ndikuar edhe në rritjen e disiplinës së stafit.
Thonë se mësimdhënësit janë treguar më të kujdesshëm duke mos u vonuar apo edhe humbur orë të mësimit.