Kadri Zeka nënshkruan marrëveshje me Universitetin e Kastamonias
Prishtinë, 6 prill - Rektori i Universitetit Kadri Zeka Prof.Asoc.Dr. Bajram Kosumi ka nënshkruar sot marrëveshje ndërkombëtare bashkëpunimi me rektorin e Universitetit të Kastamonias nga Turqia Prof.Dr. Seyid Aydin.
Në kuadër të kësaj marrëveshje njëherësh u nënshkrua edhe një protokol për shkëmbim të studentëve dhe të stafit akademik në kuadër të Mevlana Exchange Programme Protocol.
Të dy rektorët shprehën vullnetin e mirë për të thelluar edhe më tutje bashkëpunimin ndër-universitar për themelimin e programeve të përbashkëta për studime në nivelin bachelor dhe master. Gjithashtu në kuadër të marrëveshjes në fjalë, Universiteti Kadri Zeka dhe Universiteti i Kastamonias nga Turqia, ndër të tjera, do të mund të shkëmbejnë studentët, stafin administrativ dhe akademik në projekte ndërkombëtare, publikime të përbashkëta, punëtori në tema të ndryshme e fusha të tjera më interes për të dy palët.
Kjo marrëveshje ndërkombëtare është arritur si rezultat i punës që Universiteti Kadri Zeka po arrin të krijoj në vazhdimësi me Institucionet arsimore me renome ndërkombëtare.