Jep dorëheqjen rektori i Universitetit të Prishtinës
Prishtinë, 16 shkurt - Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, dha dorëheqje të martën, në shenjë pakënaqësie me procesin e zgjedhjeve në këtë universitet.
Në një letër publike ai shkruan se para 18 muajsh kishte marrë detyrën \"për të ndihmuar nxjerrjen e institucionit nga kriza në të cilën e kishin futur degradimi akademik e moral, papërgjegjësia dhe konformizmi\".
Por, sipas tij, zgjedhjet e fundit në këtë institucion kanë dëshmuar se rezistenca ndaj ndryshimeve është shumë e fortë dhe se rruga e universitetit \"është rrugë e përshtatjes interesave të klaneve, brenda së cilës, ka hapësirë të mjaftueshme për realizimin e interesave joligjore të secilit që ka fuqi, duke filluar nga ata që janë në majat e shtetit e deri te servilët besnikë të tyre\".
Më 21 tetor të vitit të kaluar, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina, që është universiteti më i madh dhe i vjetri në vend, shkarkoi rektorin, Ramadan Zejnullahu, duke shkaktuar një valë reagimesh edhe të institucioneve më të lartë të Kosovës.
Atëbotë Këshilli drejtues numëronte disa arsye për shkarkimin e rektorit, mes tjerash, edhe për siç thuhej, shkeljet ligjore, bllokimin e mbledhjeve të Senatit, ndërprerjen e konkurseve për studime të doktoratës, etj.
Një ditë më vonë Ministria e Arsimit shfuqizoi vendimin e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës.
Që atëherë zhvillimet rreth rektorit Zejnullahu nxitën diskutime për situatën në Universitetin e Prishtinës i cili u themelua 46 vjet më parë dhe deri vonë ishte i vetmi universitet publik në Kosovë.