08 Maj 2025

Jep dorëheqje Ferdije Zhushi-Etemi

Prishtinë, 10 shtator -  Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, Ferdije Zhushi-Etemi për shkak të ngritjes së aktakuzës lidhur me dyshimet për keqpërdorimin e detyrës zyrtare ka ofruar dorëheqjen e saj.

Zhushi- Etemi në letrën e saj të cilën ia ka dorëzuar ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, ka shkruar se dorëheqja nga kjo pozitë nuk nënkupton pranimin e fajësisë. Ajo ka thënë se është plotësisht e pafajshme.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, sot ka pranuar dorëheqjen e znj. Ferdije Zhushi-Etemi nga pozita e Kryetares së Këshillit Shtetëror të Cilësisë (Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim).  

Me këtë rast, ministri Bajrami vlerëson lartë punën dhe kontributin e çmuar të Prof. Dr. Ferdije Zhushi-Etemi në themelimin dhe konsolidimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Pranimi i AKA-së në ENQA dhe në Regjistrin Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), padyshim që paraqesin një zhvillim shumë të rëndësishëm për ndërkombëtarizmin e arsimit të lartë në Kosovë dhe kontribut në përmirësimin dhe avancimin e cilësisë në arsimin e lartë, si një mundësi e re për ndërlidhjen e institucioneve dhe studentëve tanë në sistemin evropian të arsimit të lartë. Anëtarësimi i AKA-së në këto institucione kredibile ndërkombëtare për sigurimin e cilësisë, dëshmon për punën profesionale të AKA-së, në zbatimin e standardeve dhe praktikave më të mira evropiane në sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë, si dhe pa dyshim paraqet dëshminë më të mirë për punën dhe kontributin e Prof. Dr. Ferdije Zhushi-Etemi në kryesimin e bordit të AKA-së.   

Ministri Bajrami respekton dhe çmon lartë aktin moral të dorëheqjes të Prof. Dr. Ferdije Zhushi-Etemi, si veprim në interes të mbrojtjes së integritetit institucional të AKA-së dhe arsimit të lartë në Republikën e Kosovës.   

MAShT kërkon që të respektohet parimi i prezumimit të pafajësisë ndaj Prof. Dr. Ferdije Zhushi-Etemi dhe po ashtu kërkon nga organet e rendit dhe prokuroria e shtetit që të dëshmojë sa më parë të vërtetën lidhur me akuzat e pretenduara, duke marrë parasysh rëndësinë e këtij procesi për mbrojtjen e kredibilitetit të arsimit të lartë në Republikën e Kosovës.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë do të vazhdojë përkrahjen për AKA-në, si institucion kyç që garanton cilësinë e punës arsimore në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)