23 Dhjetor 2024

Investimi në edukimin parashkollor, sukses i garantuar

Prishtinë, 31 maj - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ka marrë pjesë në takimin e Komitetit ndërministror për të drejtat e fëmijëve, i cili është mbajtur për nder të 1 Qershorit – Ditës ndërkombëtare të fëmijëve.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë këtij takimi theksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të garantuar të drejtat e fëmijëve, ndërsa përmendi shumë të arritura në këtë drejtim.

Pasi që ua uroi fëmijëve festën e tyre, kryeministri Thaçi tha se “për të vendosur fëmijën në qendër të prioriteteve të Qeverisë, janë bërë përparime, duke bërë të mundur krijimin dhe funksionimin e një varg mekanizmash ndërinstitucional që merren me dizajnimin e politikave, si dhe monitorimin e realizimit të të drejtave të fëmijëve”

 Ndërsa, ministri Ramë Buja, tha se Ministria e Arsimit synon që të gjithë fëmijëve pa përjashtim t’u respektohet e drejta e tyre për pjesëmarrje në institucione publike apo private të edukimit të hershëm, t’u ofrohet mundësia për të përfituar shërbime profesionale dhe edukative, t’u ofrohet një shërbim sa më cilësor nga profesionistë të fushës dhe që të gjithë fëmijëve t’u plotësohet e drejta për t’u përgatitur për shkollë.

Ministri Buja përmendi një varg dokumentesh, të cilat drejtpërdrejtë e rregullojnë edukimin parashkollor, ndërsa tha se është paraparë që në Fakultetin e Edukimit të hapet edhe programi për fëmijërinë e hershme 0-3 vjet, i cili program është hartuar dhe është dërguar në Agjencinë për Akreditim.

Ministri përmendi edhe faktin se ka filluar ndërtimi i institucioneve parashkollore me partneritet publiko-privat, ndërsa tha se me Ligjin për Arsimin Parauniversitar klasa parafillore 5-6 vjet do të bëhet e obliguar deri në vitin 2015.

Ministri Buja përmendi edhe shumë projekte që janë duke u realizuar dhe falenderoi edhe partnerët zhvillimor, e në veçanti UNICEF-in për ndihmën që ka dhënë dhe po jep në këtë drejtim.

“Jemi të vetëdijshëm për sfidat që na presin, për vështirësitë me të cilat përballemi në realizimin e synimeve tona, por ne jemi të përkushtuar që këtij segmenti të edukimit t’i japim rëndësinë që në të vërtetë e ka, sepse për ne si Ministri e Arsimit investimi në edukimin parashkollor do të thotë investim dhe sukses i garantuar në të gjitha nivelet e sistemit të arsimit”, tha ministri Buja.

Gjatë këtij takimi, edhe ministrat tjerë që janë anëtarë të Komitetit ndërministror për të drejtat e fëmijëve, paraqitën të arriturat e dikastereve që ata i udhëheqin, sa i përket detyrave që kanë për të drejtat e fëmijëve. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)