Interesim i madh i aplikuesëve për tu regjistruar në Universitetin e Gjilanit
Gjilan, 10 korrik - Që nga dje kur dhe ka filluar aplikimi i maturantëve për tu regjistruar në Universitetin “Kadri Zeka” për vitin akademik 2018/2019, vërehet interesim mjaft i madh në të gjitha Fakultetet, si në Fakultetin Juridik, Fakultetin Ekonomik, Fakultetin e Edukimit dhe atë të Shkencave Kompjuterike. Vetëm sot numri i aplikantëve ka arritur rreth 500 sosh.
Shuajb Ramadani dhe Levent Fejzullahu kishin ardhur nga Lugina e Preshevës për të aplikuar në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike. Ata thonë se janë munduar që përzgjedhjen e profesionit, të cilin edhe e dëshirojnë, ta bëjnë në bazë të kërkesave edhe në tregun e punës.
“Kemi vendosur të studiojmë në profesionin që e duam, Shkencat Kompjuterike, dhe dëshirojmë të pranohemi, sepse me këtë drejtim shumë shpejt mund edhe të punësohemi, pasi që në ditët e sotme teknologjia me të madhe ka marr hov në zhvillim”, thonë Shuajbi dhe Leventi.
Të njëjtin mendim me Shuajbin dhe Leventin e ka edhe Lejla Keqmezi nga Gjilani, e cila po ashtu kishte zgjedhur që të aplikojë për të studiuar në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan.
Është e vështirë të parashihet me saktësi se cilat profesione do të jenë më të kërkuarat në tregun e Kosovës, thotë Mirjana Buzuku nga Kamenica. Megjithatë, ajo thotë se ka zgjedhur profesionin e preferuar Juridikun për të studiuar.
“Si jurist, nëse në të ardhmen më mundësohet nga autoritetet kompetente që të punësohen, do të ishte shumë mirë, do të jepja edhe unë kontributin në shtetin tim”, thotë Mirjana.
Jeton Demi nga Gjilani, u shpreh se ka zgjedhur të vazhdojë studimet në Fakultetin Ekonomik për shkak se Kosova ka nevojë për ekonomistë të mirë.
“Në drejtimin ekonomi, menaxhment aplikova, sepse Kosova ka nevojë për ekonomistë më të mirë“, u shpreh Jetoni.
Kurse Elmedina Grainca nga Ferizaj thotë se ka vendosur që të studiojë fushën e edukimit, përkatësisht programit fillor pasi që sipas saj ky profesion është adekuat për femra.
“E kam regjistruar Fakultetin e Edukimit, degën programi fillor. Mendoj që është drejtim i mirë për femra dhe për këtë arsye kam vendosur të vazhdoj të studioj”, ka thënë Elmedina.
Nga ana tjetër, Januz Dërvodeli , dekan i Fakultetit të Edukimit në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, thotë se Universiteti “Kadri Zeka” është përgatitur për t’iu dhënë mundësinë të gjithë atyre që meritojnë të vazhdojnë studimet.
“Jemi të përkushtuar që ky proces të rrjedh në mënyrën më të mirë të duhur në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi dhe do t’u japim mundësinë të gjithë atyre që meritojnë në kuadër të parametrave numerik që Universiteti ka shpallur për këtë vit akademik”, ka thënë dekani Dërvodeli.
Ndryshe Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan në studimet baçelor respektivisht në Fakultetin e Edukimit programi Fillor dhe Parashkollor, Fakultetin Juridik, Fakultetin Ekonomik në programet Banka Financa dhe Kontabilitet, programin Marketing , programin Menaxhment dhe Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, do të regjistrojë 1218 studentë të rregullt, ku përfshihen edhe studentë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, si dhe nga komunitetet jo-shumicë.
Paraqitja e dokumenteve zgjatë deri më 17.7.2018, kurse provimi pranues do të mbahet më 20.7.2018.