Interesim i madh i aplikantëve për tu regjistruar në "'Kadri Zeka
Gjilan, 12 korrik - Që nga dje kur dhe ka filluar aplikimi i maturantëve për tu regjistruar në Universitetin Kadri Zeka për vitin akademik 2016/2017, vërehet interesim mjaft i madh në të gjitha Fakultetet, si në Fakultetin Juridik, Fakultetin Ekonomik, Fakultetin e Edukimit dhe atë të Shkencave Kompjuterike. Deri sot numri i aplikantëve ka arritur në 1020.
Lidhur me numrin e maturantëve të cilët janë të interesuar të vazhdojnë studimet në Universitetin Kadri Zeka , Refik Ibrahimi , zyrtar kryesor për pranimin e dokumenteve, ka thënë se ky interesim është i mirëseardhur, sepse Universiteti Kadri Zeka është përgatitur për tiu dhënë mundësinë të gjithë atyre që meritojnë të vazhdojnë studimet. Zyrtari Ibrahimi ka thënë se gjithashtu jemi të përkushtuar që ky proces të rrjedh në mënyrën më të mirë të duhur në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi dhe do tu japim mundësinë të gjithë atyre që meritojnë në kuadër të parametrave numerik që Universiteti ka shpallur për këtë vit akademik.
Ndryshe në Universitetin Kadri Zeka në Gjilan paraqitja e dokumenteve zgjat prej datës 11.07.2016 deri më 18.07.2016 (Dokumentacioni mund të dorëzohet edhe të shtunave). Provim pranues do të ketë në të gjitha njësitë akademike (fakultete), kurse shpallja e listave të kandidatëve për provim, salla dhe ora e mbajtjes se provimit pranues do të publikohen më 20.07.2016, në ueb faqen e Universitetit www.uni-gjilan.net . Ndërkaq provimi pranues do të mbahet më 21.07.2016, kurse shpallja e rezultateve preliminare të provimit pranues do të bëhet më 26.07.2016.
Universiteti I Gjilanit Kadri Zeka, në vitin e parë të studimeve, në afatin e parë të konkursit për vitin akademik 2016-2017 të studimeve themelore bachelor, do të regjistrojë 1504 studentë.