Inspektoriati konstaton shkeljet e Behar Ramës, kërkohet anulimi i konkursit
Gjakovë, Rahovec, 18 shtator - Zyra regjionale e inspektoratit të arsimit në Gjakovë, pas shqyrtimit të ankesave të mësimdhënësve të larguar padrejtësisht nga puna, si dhe pas inspektimit që ka bërë në shkollat dhe zyrën e DKA-së në Rahovec ka ardhur në përfundim se ka pasur një mori shkeljesh gjatë gjithë procesit të konkurseve.
Rrjedhimisht, inspektorati ka kërkuar nga Drejtoria e Arsimit në Rahovec që të bëjë anulimin e konkursit. Gjithashtu, edhe zyra e departamentit ligjor në Ministrinë e Arsimit ka konfirmuar se shpallja e disa konkurseve ka qenë e pa bazë ligjore. Disa nga shkeljet e konstatuara janë:
1. Vendimi i DKA-së për shpalljen e konkurseve për disa vende të lira të punës është në kundërshtim me udhëzimin administrativ 09/2014.
2. Janë evidentuar shkelje procedurale gjatë tërë procesit të vlerësimit si: a) Në SH.M.L.P Selajdin Mullaabazi Mici, ndonëse konkursi ishte shpallur për pranimin e 3 (tre) profesorëve të lëndëve të makinerisë, DKA ka pranuar (gjashtë) profesorë; b) Për lëndët e ekonomisë, ndonëse me konkurs janë kërkuar 4 (katër) profesorë, joligjërisht janë pranuar 5 (pesë); c) Ndërkaq, përderisa për lëndën teknologji ushqimore me konkurs është kërkuar 1 (një) profesor, janë pranuar 2 (dy).
3. Drejtori i DKA-së, Behar Rama, ka vendosur arbitrarisht për pranimin e disa profesorëve, pasi që procesverbali i vlerësim-pranimit të mësimdhënësve nuk është nënshkruar nga të gjithë anëtarët e komisionit.
4. Ndonëse me U.A. parashihet që kandidatët të vlerësohen me poena, në procesverbalin e vlerësim-pranimit të DKA-së nuk
ekzistojnë poenat, andaj edhe nuk dihet se me çfarë parametra vlerësues janë pranuar kandidatët.
5. Shkelje tjetër ligjore është që Behar Rama personalisht ka marrë pjesë në komisionin e vlerësim-pranimit gjatë intervisitimit të anëtarëve të afërm të familjes (vajzave të vëllezërve dhe motrave, miqve dhe shokëve të tij).
6. Po ashtu, ndonëse konkursi është shpallur me pretendimin që profesorët e deritanishëm nuk kanë pasur kualifikim Master, kandidatët që kanë zëvendësuar profesorët e larguar nga puna kanë kualifikim edhe më të ulët, si dhe me më pak përvojë, dhe pa licencë për mësimdhënie.
7. Përveç shkeljeve të lartpërmendura, DKA ka pranuar mësimdhënës pa konkurs, si në shkollën e mesme Xhelal Hajda Toni, po ashtu edhe në shkollën profesionale Selajdin Mullabazi Mici.
8.Pritet që Drejtoria e Arsimit në Rahovec të respektoj rekomandimin e Inspektoratit Regjional të Arsimit në Gjakovë, duke rikthyer mësimdhënësit e larguar në vendet e tyre të punës.