Inaugurohet Akademia Zhvillimore e Institutit Riinvest
Prishtinë, 5 qershor - Në një ceremoni solemne, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të Kuvendit dhe Qeverisë, përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në Kosovë, kryetarëve të komunave dhe të mysafirëve tjerë të rëndësishëm, është bërë përurimi i Akademisë Zhvillimore si produkt kryesor i projektit që financohet nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe implementuar nga Instituti Riinvest.
Qëllimi kryesor i këtij projekti të titulluar Fuqizimi i kapaciteteve të zhvillimit ekonomik rajonal të Kosovës, përmes Akademisë Zhvillimore, njësive komunale për zhvillim dhe menaxhim të projekteve si dhe implementimit të projekteve me ndikim të shpejtë është të konsolidojë dhe fuqizojë kapacitetet e regjioneve për të marrë pjesë dhe për të kontribuar në mënyrë aktive në zhvillimin ekonomik rajonal dhe të përgjithshëm të Kosovës.
Në kuadër të aktiviteteve të Akademisë Zhvillimore do të organizohen ligjërata në 2 cikle me kohëzgjatje secili prej 3 muajve, e ku për pjesëmarrësit do të zhvillohen 24 ligjërata intensive.
Klasa e parë e pjesëmarrësve do të fillojë ndjekjen e ligjëratave në muajin qershor, me pritje për diplomim në fund të këtij viti.
Nga ky projekt do të përfitojnë të gjitha komunat e Kosovës, bizneset dhe shoqëria civvile. Në programet trajnuese të akademisë për çdo cikël do të përfshihen si vijues rreth 50 zyrtarë komunal dhe përfaqësues të shoqatave të bizneseve.
Synimi i programeve trajnuese që do të zhvillohen në këtë akademi është zhvillimi dhe fuqizimi i kapaciteteve të akterëve rajonal për të aplikuar, menaxhuar dhe implementuar projekte zhvillimore të financuara nga donatorë të ndryshëm, me theks të veçantë projekte të financuar nga zyra e BE-së.
Këto 24 ligjërata janë të grupuara e organizuara në pesë module kryesore: I. Zhvillimi ekonomik; II. Menaxhimi i projekteve; III. Hartimi i strategjive, projekteve piperine, projekt granteve të BE-së dhe implementimi i tyre; IV. Financimi, agjencitë zhvillimore dhe politikëbërja në Kosovë; V. Simulimi i zhvillimit ekonomik rajonal/ ushtrime grupore.
Këto tema janë krijuar si rezultat i bisedimeve e bashkërendimeve me kryetarët e komunave, agjencitë zhvillimore rajonale (AZhR), institucione vendore e ndërkombëtare dhe donatorë të ndryshëm.
Ligjëruesit për 24 temat e programit janë përzgjedhur në bazë të njohurive të tyre të gjëra në fushat përkatëse dhe përvojave shumëvjeçare.
Në disa prej ligjëratave pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të dëgjojnë edhe informatat e dorës së parë dhe përvojat e mysafirëve ligjërues vendas dhe ndërkombëtarë. Moduli I dhe II do të mbahen gjatë muajit qershor, ndërsa modulet tjera do të vazhdojnë prej muajit shtator.
Disa prej ligjëratave do të mbahen në objektin e Institutit Riinvest, kurse të tjerat do të organizohen në lokacione turistike të Kosovës në formë të workshopeve/punëtorive. Gjatë modulit V pjesëmarrësit do të ndahen në grupe punuese, ku do të punojnë në projekt propozime reale për komunat e tyre; një pjesë e projekteve të cilat do të financohen pjesërisht.
Në këtë mënyrë sigurohet plotësimi i ligjëratave me punën praktike. Ceremonia e diplomimit do të shënojë përmbylljen e ciklit të parë të Akademisë zhvillimore, gjatë të cilës pjesëmarrësit e suksesshëm do të pajisen me certifikata nga Instituti Riinvest.