Hulumtimet dhe kërkimet shkencore kërkojnë rritjen e fondeve
Prishtinë, 9 qershor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, mori pjesë në Konferencën njëditore Gjendja e hulumtimeve dhe kërkimeve shkencore në Kosovë.
Qëllimi i kësaj Konference është hapja e një debati në lidhje me njoftimin e hulumtimeve dhe kërkimeve shkencore që po zhvillohen në Kosovë, të arriturat, vizionet, mundësitë për të ardhmen, si dhe prezantimi i projekteve të vogla shkencore fituese për këtë vit, të përkrahura nga MAShT.
Ministri Bajrami me këtë rast ka vlerësuar se, hulumtimi dhe kërkimi shkencor është një fushë, në të cilën duhet bërë më shumë, në mënyrë që krahas komponentës akademike që zhvillohet në institucionet e arsimit të lartë, të zhvillohet edhe komponenta e kërkimit shkencor.
Ministri Bajrami ka theksuar se komponenta e parë e mbështetjes së hulumtimit shkencor është rritja e buxhetit, sidomos në fusha të rëndësishme, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe teknologjik të vendit.
Detyrë e Ministrisë së Arsimit është që të rrisim fondet për mbështetjen e kërkimeve dhe hulumtimeve shkencore. Komponentë tjetër shumë e rëndësishme është edhe ringjallja e resurseve brenda universiteteve publike, instituteve dhe bizneseve, në mënyrë që ato të stimulojnë kërkimin shkencor, u shpreh ministri Bajrami.
Ministri Bajrami foli edhe për përcaktimin e standareve kombëtare të fushave me interes, të cilat e përcaktojnë qartë një hulumtim dhe kërkim të mirëfilltë shkencor, në mënyrë që të mundësohet orientimi i fondeve në fushat, të cilat paraqesin kontribut në përparimin e përgjithshëm shkencor të vendit.
Në këtë Konferencë do të marrin pjesë edhe rektorë të universiteteve publike dhe private në vend, prorektorë për shkencë, dekanë të fakulteteve, profesorë, përfitues të projekteve shkencore të MAShT dhe studentë.