23 Dhjetor 2024

Hoxhaj: Kosova, model i bashkëjetesës fetare

Pejë, 24 maj - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në Konferencën Ndërfetare në Pejë, ka thënë se gjatë tërë historisë Kosova ka qenë vend multietnik, multifetar dhe ka ruajtur karakterin e dialogut dhe mirëkuptimit fetar.

Hoxhaj tha se diversiteti fetar në Kosovë shpesh ka shërbyer për të ndërtuar ura bashkëpunimi, por edhe është keqpërdorur për të krijuar ndarje nga elitat e ndryshme politike.

“Për këto arsye, dialogu ndërfetar është një komponent kryesor në ndërtimin e paqes dhe bashkëkzistencës ndërmjet grupeve të ndryshme etnike dhe fetare. Për këtë arsye kjo konferencë është shumë e rëndësishme për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, dhe për tërë rajonin”, ka thënë ministri Hoxhaj, para të pranishmëve.

Hoxhaj tha se Kosova është një shembull i tolerancës fetare në rajon, duke theksuar faktin se që nga deklarimi i pavarësisë në vitin 2008, Kosova ka ndërtuar një shtet dhe shoqëri multientike.

“Si një anëtar i ekipit negociator për statusin final, jam krenar se ajo që ishte planifikuar që të implementohet si pjesë e Planit Ahtisaari po ndodh në realitet. Sot, Kosova është shembulli më i mirë i mbrojtjes së të drejtave religjioze dhe fetare “, tha Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka shprehur përkushtimin e institucioneve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare të të gjitha komuniteteve religjioze në Republikën e Kosovës.

“Trashëgimia ekzistuese fetare në Kosovë, është trashëgimi e qytetarëve të Republikës së Kosovës, prandaj ajo duhet të jetë e depolitizuar dhe e hapur për të gjitha komunitetet”, ka thënë ministri Hoxhaj.

Hoxhaj ka theksuar se paralelisht me promovimin  e lirive fetare, një nga shtyllat kryesore të shtetësisë së Kosovës është sekularizmi, i cili i ofron hapësirë të mjaftueshme për të gjitha komunitetet që të promovojnë besimet dhe bashkëjetesën.

Më pas, ministri Hoxhaj ka folur edhe për procesin e normalizimit të marrëdhenieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen ndërshtetërore për normilizimin e marrëdhënieve bilaterale.

“Por, tani është koha që të fillojmë një proces të pajtimit bilateral ndërmjet dy shteteve, i cili do të përmbyllte njëherë e përgjithmonë kapitullin e gjatë të konfliktit”, ka thënë ministri Hoxhaj, para të pranishmëve në Konferencën Ndërfetare në Pejë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)