Honorarëve mujorë prej mijëra euro në UP po u vjen fundi
Prishtinë, 5 janar - Universitetin e Prishtinës po e pret shkurtimi i një sërë shpenzimesh, jashtë pagave, të cilat prej vitesh kanë përfunduar nëpër xhepat e një pjese të stafit akademik, duke bërë që të ardhurat e tyre mujore të arrijnë në disa mijëra euro.
Ministria e Financave tashmë i ka drejtuar kërkesë UP-së për rishikimin e disa rregulloreve, përmes të cilave janë dhënë beneficione të ndryshme për një kategori të profesorëve, Këshillin Drejtues dhe vetë menaxhmentin e Universitetit, shkruan sot Koha Ditore.
Përderisa zyrtarë të kësaj Ministrie nuk e kanë mohuar një gjë të tillë, por as nuk janë përgjigjur në pyetjet e gazetës rreth më shumë detajeve në lidhje me këtë çështje, drejtues të UP-së e kanë konfirmuar një kërkesë të tillë të drejtuar në Universitet, nga ky dikaster qeveritar.
E njohës të çështjeve të arsimit kanë thënë për gazetën se prej vitesh strukturat udhëheqëse të Universitetit kanë ndërtuar një sistem të sigurimit të përfitimeve për vete, duke gjetur forma shumë kreative për të marrë para të majme të buxhetit, pa bërë ndonjë punë produktive.
Rektori i UP-së, Ramadan Zejnullahu, në një deklaratë për Kohën Ditore e ka pranuar se Ministria e Financave ia ka drejtuar një kërkesë të tillë Universitetit.
/Koha Ditore/