Hill dhe Petritsch nderohen me titullin Doctor Honoris Causa
Prishtinë, 19 qershor - Universiteti i Prishtinës Hasan Prishtina i ka nderuar me titullin Doctor Honoris Causa ambasadorin amerikan Christopher Hill dhe ambasadorin austriak Wolfgang Petritsch, në shenjë falënderimi për kontributin e tyre dhënë në rrugën e gjatë të lirisë së Kosovës, deri te pavarësia e saj.
Hapjen e kësaj ceremonie e bëri rektori i UP-së, prof. dr. Ibrahim Gashi, i cili në emër të studentëve dhe të mësimdhënësve të Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina u shprehu konsideratë, respekt dhe falënderim dy ambasadorëve të çmuar, të cilët e përkrahën paqes dhe lirinë e vendit tonë, kur ato ishin të rrezikuara.
Ne ishim me fat në një fatkeqësi të madhe, sepse ju kishim miq juve dhe popujt tuaj në një nga kohët më të rënda të mbijetesës sonë. Mbështetja juaj e fuqishme në momentet kur po vendosej fati i Kosovës mbetet e paharruar për ne."
"Qytetarët e Kosovës, por edhe studentët dhe pedagogët e Universitetit të Prishtinës e kanë shumë të freskët kujtimin për angazhimin tuaj diplomatik dhe politik në mbështetje të së drejtës legjitime të një populli për të jetuar i lirë, në mbështetje të jetës, të pronës dhe të dinjitetit njerëzor, në kohën kur këto vlera humane në Kosovë ishin rrezikuar skajshmërisht, theksoi rektori Gashi.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, i cili, në cilësinë e laudatorit, tha se dy ambasadorët ishin pranë Kosovës atëherë kur ajo kishte nevojë për miq, duke u angazhuar intensivisht për gjetjen e rrugëve diplomatike për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Ju ndër të parët u njohët nga afër me gjendjen në terren, me djegiet, shkatërrimet, shpërnguljet dhe krimet e policisë, ushtrisë dhe paramilitarëve të Serbisë së Milosheviqit. Ju ndër të parët njohët nga afër rrethanat, idetë, disponimin dhe prirjet e politikës kosovare në vitet 1998, 1999".
"Është meritë e juaja formësimi i idesë së bashkimit të spektrit politik shqiptar për të pasur një zë të bashkuar, një përfaqësim real të forcave politike të Kosovës, theksoi, ndër të tjera, kryeministri Thaçi.
Ndërkaq, ambasadori amerikan Christopher Hill tha se ndihet i nderuar që puna e tij është vlerësuar e rëndësishme në Kosovë. Kosova ka ndryshuar shumë që nga koha kur unë isha këtu. Fqinjët nuk mund të zgjidhen, por mund të jetohet me ta edhe në paqe, theksoi ambasadori Hill.
Laureati tjetër i çmimit Doctor Honoris Causa, ambasadori Petritsch tha se Bashkimi Evropian po përballet me probleme të shumta, por, sipas tij, Kosova po ecën drejt BE-së.
Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministra, ministra, deputetë, përfaqësues të subjekteve politike, përfaqësues të familjeve të dëshmorëve, ambasadorë dhe diplomatë të akredituar në Kosovë, përfaqësues të komuniteteve fetare, pedagogë dhe stafi i UP-së.
Titulli Doctor Honoris Causa iu dha ambasadorëve Hill dhe Petrich për kontributin që kanë dhënë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Cristopher Hill ka qenë i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë luftës në Kosovë dhe njihet si një ndër diplomatët e parë të huaj që është takuar me përfaqësuesit politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ndërsa, Wolfgang Petrich ka qenë i dërguar i Bashkimit Evropian për Kosovën gjatë viteve 1998-1999.