Haziri pranon 20 laptop donacion nga Zvicra për shkollat profesionale
Gjilan, 7 gusht - Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pranuar sot 20 laptop për shkollat profesionale, të cilët janë donacion i organizatës zvicerane Labdoo.
Në emër të organizatës, donacionin ia ka dorëzuar kryetarit Haziri koordinatori i Labdoo, Asdren Toska.
Kryetari i Gjilanit ka falënderuar koordinatorin Toska për inicimin dhe përkushtimin që ky donacion të vie në qytetin e tij, duke thënë laptopët do të shfrytëzohen nga shkollat profesionale dhe në këtë mënyrë do të ketë ndikim direkt
në përmirësimin e cilësisë në institucionet edukativo-arsimore.
Ndërkaq, koordinatori i organizatës zvicerane Labdoo, Asdren Toska, ka njoftuar se ky është vetëm fillimi i donacioneve të kësaj natyre, duke u zotuar se brenda vitit edhe 200 laptop të tjerë do t’i sjell në Gjilan.
Ai tha se laptopët që i dorëzoi sot janë të pajisur me të gjitha programet e domosdoshme për përdorim nga nxënësit e shkollave profesionale.