Hasani: Analfabetizmi në Kosovë alarmues
Prishtinë, 11 nëntor - Analfabetizmi është ende dukuri shqetësuese për shoqërinë kosovare, edhe pse nuk është e një shkalle alarmante.
Për të mos eskaluar deri tek alarmantja, duhen të bëjmë përpjekje maksimale për zbutjen dhe synimin permanent në zhdukjen e këtij fenomeni, i cili është rritur ndjeshëm sidomos te komuniteti rom, ashkali, egjiptian dhe personat me aftësi të kufizuara u tha në konferencen e mbajtur nga Këshilli i Rinisë Evropiane të Kosovës.
Presidenti i këtij këshilli Avdullah Hasani tha se numri i atyre që nuk dinë shkrim-lexim dhe numri i atyre që kanë pasur fatin të jenë për një kohë në bankat shkollore dhe më vonë, për shkaqe të ndryshme, edhe ta ndërpresin mësimin, është ende shqetësues.
Ndër arsyet kryesore të analfabetizmit është edhe cilësia jo e mirë e mësimit, shpeshherë ndërprerja e shkollimit si pasojë e sigurisë së pamjaftueshme, nga njëra anë dhe si rezultat i varfërisë, nga ana tjetër.
Në këtë kuadër duhet përmendur edhe cilësinë jo të mirë të arsimit, sepse jo rrallë ndodh që me tetë-nëntë vjet vijueshmërie në shkollë përsëri të mos arrihet standardi i mjaftueshëm i shkrim-leximit, pastaj edhe një fakt domethënës, i trashëguar nga vitet e 90: braktisja e
shkollimit. Atëbotë, ka qenë paksa më i përhapur, mirëpo tani është zbutur ca si rezultat i situatës së sigurisë. Kjo ishte përcaktuese e atyre viteve, vite vlimesh e apartejdi, që zgjati deri në fundvitet 90-të.
Hasani vazhdoi se varfëria është faktor që preku një pjese relativisht të theksuar të shoqërisë për çgjë të gjithë treguesit statistikorë dëshmojnë përqindje të lartë të saj në Kosovë. Ndaj edhe reflekton pikërisht tek këto familje.
Është shumë e rëndësishme që nxënia e shkrim-leximit të përmirësohet, sepse është e pafalshme që një i ri të mos mund ta kuptojë një udhëzim të thjeshtë për përdorimin e një pajisjeje ose të një kontrate pune të cilën e nënshkruan.
Shkaqet kryesore, të cilat vinë deri te braktisja e shkollimit, siç dihet janë edhe arsyet ekonomike, migrimi i theksuar fshat-qytet, migrimet e ndryshme jashtë Kosovës dhe niveli i ulët i arsimit në familje.
Ne kemi shumë institucione që bëjnë përpjekje maksimale për çrrënjosjen e këtij fenomeni por fatkeqësisht duket sikur këto organizata apo institucione janë të pakta dhe nuk po arrijnë të bëjnë ndikimin e duhur dhe të plotë, ndërsa Çrrënjosja e analfabetizmit në Kosovë duhet të bëhet sa më parë, si njëri ndër standardet që duhet përmbushur në nivelin e arsimit, për integrimin e vendit në familjen Evropiane theksoi Presidenti i KREK-ut , Avdullah Hasani.