Hapet Universiteti publik i Gjilanit
Gjilan, 3 tetor - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja kanë marrë pjesë sot në hapjen zyrtare të Universitetit Publik të Gjilanit Kadri Zeka, i cili pas themelimit të tij, për herë të parë këtë vit akademik ka pranuar 1.500 studentë të rinj në drejtimet Ekonomik, Juridik dhe Edukim.
Para shumë të pranishmëve që kanë marrë pjesë në solemnitetin e organizuar me këtë rast, kryeministri Thaçi është shprehur se nga vendimet më të veçanta për të si kryeministër i Kosovës kanë qenë vendimet për hapjen e institucioneve publike të arsimit të lartë në Kosovë.
Sot Kosova ka ndërtuar kapacitetet dhe potecialet për të hapur edhe universitete të tjera publike. Sot po hapet epokë moderne për Gjilanin, ka thënë ndër të tjera kryeministri Thaçi dhe është shprehur se ka qenë orientim i Qeverisë që Kosova të ketë orientim akademik.
. Ndërsa, ministri Buja tha se fakti që nga 1 tetori, Gjilani është qytet universitar, e bën atë të privilegjuar që është në këtë ceremoni për ta hapur edhe zyrtarisht Universitetin.
Kjo na bën të gjithëve të ndjehemi me emocion të veçantë dhe unë jam i sigurt që angazhimi i Qeverisë së Kosovës, kryeministrit Thaçi është veprimi më i mençur i mundshëm për ta bërë këtë institucion dhe për të krijuar tanimë jo më një apo dy universite, por gjashtë në gjithë Kosovën.
Ministri Buja, poashtu theksoi se Gjilani ka potencial për të gjitha lëmitë, ndërsa lavdëroi punën e bordit drejtues të këtij universiteti dhe shprehu besimin e tij se kjo punë do të shpërblehet edhe më tuje. Gjilanasit nuk kanë pasur kurrë privilegj më shumë se sot, tha në fund ministri Buja.
Për rëndësinë që ka Universiteti Publik i Gjilanit për këtë pjesë të Kosovës folën edhe u.d i rektorit të këtij universiteti, Arben Dermaku, rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa.
Ky universitet në vitet e mëparshme ka pasur afër 2.500 studentë, ndërsa me pranimin e studentëve të rinj këtë vit akademik, numri i studentëve ka arritur në 4.000.