24 Dhjetor 2024

Hapet shkolla pranverore për të Drejta të Njeriut, Paqe dhe Siguri

Prishtinë, 26 maj - Akademia Diplomatike e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Fondacionin Fredrich Ebert kanë bërë sot hapjen e “Shkollës së Parë Pranverore për të Drejta të Njeriut, Paqe dhe Siguri”.

Në këtë shkollë po marrin pjesë diplomatë nga MPJ-të e Bullgarisë, Hungarisë, Kosovës, Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Turqisë.

Në hapje të shkollës pranverore kanë përshëndetur drejtori i Akademisë Diplomatike të Kosovës, Skënder Durmishi, dhe drejtori i Fondacionit Fredrich Ebert, Prof. Dr. Wulf Lapins.
 
Durmishi ka shpjeguar arsyet për zgjedhjen e temës së të drejtave të njeriut, paqes dhe sigurisë.

Ai ka theksuar se gjatë kursit njëjavor do të bisedohet për tema aktuale të karakterit rajonal dhe global siç janë kërcënimet nga terrorizmi kibernetik, Bashkimi Evropian dhe rëndësia e bashkëpunimit rajonal, tema me rëndësi nga e drejta ndërkombëtare siç është përgjegjësia e shteteve, globalizimi, teknikat diplomatike, korrelacioni në mes të drejtave të njeriut dhe diplomacisë, etj.

Durmishi ka thënë gjithashtu se përveç temave që janë me rëndësi, kemi edhe partnerë të fuqishëm siç është Fondacioni Fredrich Ebert dhe akademitë diplomatike me reputacion. “Por, me rëndësi të veçantë është edhe ideja që të krijojmë një forum për diskutim në nivel më të gjerë, duke u zgjeruar në shtetet e rajonit”.
 
Lapins ka thënë se të drejtat e njeriut, paqja dhe siguria nuk janë gjithçka, por pa to, gjithçka është asgjë.

Ai ka thënë se, për më tepër, këto terme janë kyçe dhe themelet e Evropës demokratike, duke shtuar se në një Evropë të integruar, një konflikt ushtarak nuk është më i imagjinueshëm për shkak të procedurave diplomatike dhe juridike të bashkëpunimit dhe zgjidhjes së konflikteve të cilat kanë ngritur ndikimin dhe efektivitetin. Në anën tjetër, ai ka theksuar, se megjithatë këto tema janë ende sfiduese për Evropën.

Për Shkollën e Parë të Akademisë Diplomatike kanë dërguar mesazhe urimi edhe Ambasadori Wolfgang Ischinger, Ambasadori Wolfgang Petrisch, Ambasadori Shaun M. Byrnes, Ambasadori Frank Wisner, Prof. Dr. Eckart D. Stratenschulte, drejtor i Akademisë Evropiane në Berlin.

Shkolla Pranverore zgjat deri më 30 maj 2014 dhe filloi me temën “Globalizimi, të drejtat e njeriut dhe shkencat sociale”, me ligjërues Ambasadorin Fatos Tarifa nga Akademia Diplomatike e Shqipërisë.

Temat tjera përfshijnë “Diplomacinë moderne – themelet ligjore, temat e reja dhe sfidat dhe diplomacia në BE”, “Evropa në rrugë të paradigmës së re të sigurisë”, “Mbrojtja ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, përgjegjësia penale ndërkombëtare dhe intervenimi humanitar”, “Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe të drejtat e njeriut”, “Siguria kibernetike”, “Negociatat ndërkombëtare”, “Siguria ekonomike në EJL”, “Kuptimi i vlerave dhe standardeve të BE-së: disa mësime nga Kroacia”, etj.

Këto kurse do të ligjërohen nga Ambasadori Hans Winkler – Akademia Diplomatike e Vjenës, Gjenerali i Brigadës Wolfgang Peischel – Military Magazine, Prof. Dr. Matthias K. Scheer – Universiteti i Hamburgut, Prof. Dr. Iliriana Islami – Universiteti i Prishtinës, Koloneli David Johnson – George C. Marschall Center, Dr. Paul Meerts – CLINGENDAEL, Dr. Valbona Zeneli – George C. Marschall, dhe Ambasadori Mladen Anderlic – Akademia Diplomatike e Kroacisë. Në fund, pjesëmarrësit do të pajisen me certifikata.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)