Hapet programi rajonal i ‘Supershkollave’
Prishtinë, 12 tetor - Aplikimet për Skemën e Shkëmbimit të Supershkollave të RYCO-s tashmë janë hapur.
Kjo mundësi e sapokrijuar për shkollat, nxënësit dhe mësuesit ka për qëllim të mbështesë proceset e paqes e pajtimit, si dhe dialogun dhe të mësuarit ndërkulturor midis shkollave, nxënësve dhe komuniteteve të tyre.
Andaj, Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinore, zyra lokale në Prishtinë organizon sot ceremoninë e hapjes së programit rajonal të ‘Supershkollave’.
Në hapje të programit do të jenë të pranishëm Znj. Edona Maloku-Bërdyna – Zv. Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit; Tomas Szunyog – Shef i Zyrës se BE-së në Kosovë; Joern Rohde – Ambasador I Republikës Federale te Gjermanisë në Kosovë; Marire-Chrisitne Butel – Ambasadore e Republikës së Francës në Kosovë dhe Krenare Gashi- Krasniqi – Drejtoreshë e Zyres së RYCO-s për Kosovë.
Programi, i cili do të zbatohet gjatë tre viteve të ardhshme, do të përqendrohet në mbështetjen e shkollave për të hartuar dhe zbatuar shkëmbime rinore, si dhe për të hartuar një skemë rajonale shkëmbimi shkollor, që do t’u mundësojë nxënësve të shkollave të mesme të marrin pjesë në programet afatgjata të shkëmbimit të RYCO-s.
Çdo shkollë e mesme, publike apo private, në vendet e Ballkanit Perëndimor, është e ftuar të aplikojë dhe shpenzimet e shkëmbimeve do të mbulohen nga RYCO, në kuadrin e projektit të zbatuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, të bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ).