Hapet Panairi i Librit "Prishtina 2013"
Prishtinë, 4 qershor - Panairi i 15-të i libit në kryeqytetin e Kosovës "Prishtina 2013", është hapur mbrëmë me një ceremoni me pjesëmarrjen e mbi 100 botuesve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e diaspora dhe me mëse 1300 tituj të rinj, sipas organizatorëve.
Në vitin e 5 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Panairi deri në mbyllje në 9 qershor në ambientet e Pallatit të Rinisë, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, do shënojë edhe jubile të personaliteteve letrare shqiptare.
Në ambientet e panairit janë edhe fotot për 100 vjetorin e lindjes së Petro Markos, 100 vjetorin e lindjes së Vedat Kokonës, 100 vjetorin e lindjes së Isuf Luzajt, 90 vjetorin e lindjes së Jakov Xoxes, 90 vjetorin e lindjes së Vehap Shitës dhe 30 vjetorin e vdekjes së Musine Kokalarit.
I pranishëm në festën e librit në Prishtinë, Vehap Shita bëri hapjen solemne të panairit dhe përshëndeti pjesëmarrësit, bashkë me përfaqësues të institucioneve kulturore dhe të krijuesve e botuesve.
Menjëherë pas luftës në Kosovë në vitin 1999 u organizua panairi i parë i librit në Prishtinë, i cili ishte ndër aktivitetet e para kulturore bashkë me një koncert të mbajtur në Prizren nga artistë nga Kosova e Shqipëria.