23 Dhjetor 2024

Hapet konferenca inauguruese e programit “Horizon 2020”

Prishtinë, 26 nëntor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja mori pjesë sot në Konferencën Inauguruese të Programit “Horizon 2020”, i cili është program i ri Kornizë i Bashkimit Evropian për Hulumtime dhe Inovacion, i cili do të ofrojë mbështetje në të gjitha llojet e aktiviteteve hulumtuese dhe të inovacionit, në fushat shkencore themelore dhe fushat shkencore industriale.

Ministri Buja, me këtë rast, tha se ky program është një mundësi mjaft e mirë për pjesëmarrje në projekte kërkimore dhe inovative për komunitetin shkencor, komunitetin e biznesit, si dhe për partnerët tjerë aktivë në fushën e inovacionit dhe kërkimit në vendin tonë.

Programi Horizon 2020, theksoi ministri Buja, po ashtu është një mundësi e mirë për integrimin e Republikës së Kosovës në zonën europiane të kërkimit. 

Duke vlerësuar lartë përkrahjen e partnerëve nga Komisioni Evropian, si dhe partnerëve tjerë ndërkombëtarë dhe vendorë, ministri Buja tha se MAShT vazhdimidht ka përkrahur punën dhe përpjekjet e komunitetit shkencor, së fundi edhe përmes konsolidimit të Kornizës Ligjore dhe Kornizës së Politikave Strategjike për të mbështetur zhvillimin e aktiviteteve në fushën e kërkimit dhe inovacionit.

Më tej, ministri Buja po ashtu theksoi se MAShT ka punuar edhe në kompletimin e infrastrukturës ligjore sa i përket fushës së kërkimeve shkencore.
 
“Rishikimi i Ligjit për Kërkimet Shkencore ofron një qasje të hapur të përkrahjes për komunitetin shkencor, për të marrë pjesë në fondet publike të alokuara për kërkim, si dhe mundëson që gjatë viteve në vijim të ndahen më shumë mjete nga buxheti i Republikës së Kosovës për fondin e shkencës.\"

\"MAShT gjatë këtij viti ka finalizuar edhe Startegjinë Nacionale për Inovacion 2013/ 2020.  Kjo strategji i jep një shtytje të hovshme përpjekjeve për inovacion, si parakusht i zhvillimit ekonomik në vend”, ka thënë ministri Buja.

Ndërkaq, përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, tha se “Horizon 2020” është një prej programeve më të mëdha të komunitetit evropian, i cili do të fillojë nga viti 2014 deri më 2020, me një buxhet mbi 70 miliardë euro.

Ky program do të ofrojë financim për një varg të madh të projekteve të kërkimit, hulumtimit dhe inovacionit në fushën e shkencave të teknologjisë, biznesit dhe shkencat shoqërore.

“Horizon 2020” pason Programin e Shtatë Kornizë të BE-së për Hulumtime dhe Zhvillim Teknologjik- FP7 (2007- 2013). 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)