Hapet Fakulteti i Sigurisë Publike
Vushtrri, 14 tetor - Nesër në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), mbahet ceremonia e fillimit të vitit të parë akademik 2014/2015, për studentët e Fakultetit të Sigurisë Publike.
Në ceremoninë e hapjes pritet të marrin pjesë, përfaqësues të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeprokurori i Shtetit, Sylë Hoxha, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, drejtori i përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi, drejtues të Agjencive të Sigurisë Publike, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Akademia ka pranuar 69 studentë në vitin e parë të programit studimor Bachelor, në fushën e sigurisë publike për të gjitha agjencitë e sigurisë publike.
Ky program studimor, është akredituar nga Agjencia e Akreditimit dhe është rezultat i projektit dy vjeçar të binjakëzimit Përmirësimi i arsimit në sektorin e rendit dhe sigurisë publike, i financuar nga Komisioni Evropian.
Ceremonia do të mbahet nesër më 15 tetor duke filluar nga ora 10:00.