Hapet ekspozita Teknologjia Arsimore në shkolla dhe Sfida e Dizajnit 2016
Prishtinë, 20 maj - Ministri i Arsimit, shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami dhe z. Brian Fahev -u.d. drejtor i zhvillimit ekonomik në USAID, morën pjesë në hapjen e ekspozitës së nxënësve të shkollave pjesëmarrëse në garën Teknologjia Arsimore në shkolla dhe Sfida e Dizajnit 2016, e cila u organizua nga MAShT, në bashkëpunim me Programin për Edukim Themelor të USAID-it dhe Fondacionin IPKO.
Me këtë rast, ministri Bajrami ndër tjera tha se, ky projekt është një mundësi shumë e mirë për të parë shkathtësitë dhe mundësitë që kanë nxënësit tanë për të promovuar një ushtrim praktik, i cili do të ngrisë cilësinë.
Padyshim që ky është rezultat i një bashkëpunimi të shkëlqyeshëm që kemi me Programin e Edukimit Themelor dhe Fondacionin IPKO, një mundësi shumë e mirë që nxënësit tanë të ushtrojnë përdorimin e teknologjisë informative në shkollë, u shpreh ministri Bajrami, ndërsa theksoi se kjo është në pajtim të plotë me atë që ne po synojmë të bëjmë që të ndërtojmë te nxënësit tanë kompetenca dhe shkathtësi.
Ministri Bajrami tha se, MAShT po zhvillon projekte që teknologjia e informimit dhe përdorimi i saj të jetë një instrument i domosdoshëm për ngritjen e cilësisë dhe se po punohet për ngritjen e përformancës edhe të mësimdhënësve në këtë drejtim.
Imagjinatën që tregojnë këta nxënës, përmes këtyre ushtrimeve, përmes këtij demonstrimi praktik të lidhjes midis mësimit në shkolla dhe teknologjisë informative, tregon që vërtetë mund të ndërtojmë një arsimim cilësor, tha ministri Bajrami, ndërsa theksoi se MAShT dhe Qeveria e Kosovës fuqishëm mbështet këtë mënyrë të punës.
Ndërsa, z. Brian Fahev, tha se pasuria më e madhe e Kosovës është populli i saj, sidomos të rinjtë e saj dhe kjo është arsyeja pse USAID-i dhe MAShT-i vendosën që të bashkëpunojnë në Programin për Edukim Themelor.
Falë kontributit të mësidhënësve të Kosovës, Programit për Edukim Themelor dhe Ministrisë së Arsimit, jemi duke përgatitur një të ardhme të ndritshme këtu në Kosovë, një të ardhme demokratike dhe me prosperitet, tha ai.
Ministri Bajrami dhe drejtori Fahev, kanë ndarë shpërblimet për shkollat fituese në këtë garë si dhe kanë vizituar dhe kanë parë nga afër demonstrimin praktik të punimeve të nxënësve.