Hapet ekspozita e teknologjisë arsimore në shkolla
Prishtinë, 20 maj - Programi për Arsim Themelor i USAID-it dhe Ministria e Arsimit, Shkencës Teknologjisë (MAShT) në bashkëpunim me Fondacionin IPKO do të organizojnë një ngjarje me temën Teknologjia Arsimore në shkolla dhe Sfida e Dizajnit 2016.
Brenda ditës do të zhvillohet një ekspozitë e hapur e punës së shkollave me teknologji arsimore në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë.
Pjesëmarrësit, përmes punimeve, do të promovojnë pajisjet moderne për mësimdhënie dhe mësimnxënie të cilat janë në dispozicion për shkolla.
Si pjesë e organizimit, nxënësit e shkollave të mesme të ulëta do të prezantojnë projektet e tyre me të cilat kanë marrë pjesë në garën e sfidës së dizajnit të cilin këtë vit e ka organizuar Fondacioni IPKO.
Hapja zyrtare e kësaj dite do të bëhet nga Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami dhe U.D. Drejtori i zhvillimit ekonomik në USAID Kosovë, Brian Fahey.
Programi për Arsim Themelor është partneritet pesë vjeçar i financuar nga USAID-i dhe Qeveria e Kosovës dhe i zbatuar nga FHI 360, në partneritet me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Qendrën për Arsim të Kosovës.