Hapësira të salla 1 tetori do të shndërrohet në park
Prishtinë, 5 shkurt - Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me organizatën Helvetas Swiss Intercoopertion, projekti DEMOS, ka planifikuar projekte për hapësirat ekzistuese publike, revitalizimin e tyre ose formimi i hapësirave të reja.
Janë afërsisht dhjetë projekte që janë projektuar nga studentët e Fakultetit të Arkitekturës, të cilat janë duke u diskutuar me banorë të lagjeve të ndryshme të kryeqytetit.
Qëllimi i këtyre projekteve është që një hapësire, terren që nuk ka gjelbërim të shndërrohet në një hapësirë publike, si parqe, shesh apo kënd për fëmijë. Qëllimi është që këto hapësira të bëhen të shfrytëzueshme. Në Prishtinë ka mjaftueshëm hapësira të gjëra midis objekteve, tha Arbnor Murati, këshilltar në Drejtorinë e Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit.
Në këtë takim me banorët e lagjes Bregu i Diellit u diskutua për hapësirën që ndodhet afër sallës 1 tetori, e cila ka qenë e rrethuar me grila në të kaluarën ndërsa pas heqjes së tyre planifikohet të shndërrohet në hapësirë të shfrytëzueshme për qytetarët, por edhe për studentët që jetojnë në atë pjesë.
Studentët e Fakultetit të Arkitekturës prezantuan planin ku përfshiheshin shtigjet për këmbësor, drunjtë, këndi i lojërave, etj.
Ky park, planifikohet të ketë disa hyrje për të qenë më e lehtë qasja sidomos për fëmijë, ndërsa edhe përreth tij, do të vendosen edhe ulëse për kalimtarët shkak të pjerrtësisë në këtë zonë.
Në mesin e shtigjeve diagonale të këtij parku janë formuar dy hapësira. Njëra me 350 m2 do të shërbejë si kënd për lojëra, ndërsa do të jetë e shtruar me një material të përshtatshëm për fëmijët, ndërsa hapësira tjetër është planifikuar të jetë për të gjitha moshat.
Të pranishmit shprehën shqetësimin për mirëmbajtjen e parkut në të ardhmen, pasi që siç u shprehën ata, shumica e hapësirave publike shkatërrohen brenda një kohe të shkurtër si pasojë e mospërkujdesjes. Njëkohësisht, ata kërkuan që këndi i lojërave të zhvendoset në një zonë më të thellë të parkut, në mënyrë që mos të jetë në afërsi të rrugës kryesore.