Greva në arsim do të zgjasë deri në përmbushjen e kërkesave
Prishtinë, 14 janar - Të gjitha institucionet arsimore në Kosovë, nga sot kanë hyrë në grevë të përgjithshme. Përfaqësues të SBASHK-ut kanë paralajmëruar se greva do të zgjasë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka vizituar shkollën fillore “Hasan Prishtina” me rastin e fillimit të grevës së përgjithshme në arsim, ku tha se kanë marrë përkrahje edhe nga prindërit e kësaj shkolle.
“Jemi të mbështetur për muri, nga maji e këndej nuk kemi lënë derë pa hapur, kemi pasë takime të vazhdueshme me kryeministrin Haradinaj, ministrin Bytyqi e deputetë të Kosovës dhe i kemi lutur ta kryejnë detyrën e tyre."
"Kanë pasur kohë me muaj dhe unë kam pritur që greva një-orëshe e 28 Dhjetorit të tingëllojë në veshët e tyre, por ata kanë thënë hajt se greva një-orëshe nuk është asgjë”, ka thënë Jasharaj.
Ai ka përsëritur se nuk do të tërhiqen nga vendimi nëse koeficienti i pagave nuk rritet së paku 30 përqind.
”Nuk mund të pranojnë që shoferët e tyre të kenë koeficient më të lartë se ne që jemi profesorë”, ka thënë Jasharaj.
Ndërkohë, kësaj greve iu janë bashkangjitur edhe mësimdhënësit nga shkolla fillore “Elena Gjika”, të cilët dje dolën me qëndrim kundër grevës në arsim dhe thanë se në këtë shkollë procesi mësimor do të mbahet i rregullt.
Por, drejtori i kësaj shkolle njoftoi sot se kanë ndryshuar mendje. Ata kanë vendosur që t’i bashkohen grevës, të cilës tashmë iu janë bashkuar të gjitha institucionet shkollore në nivel vendi.
Drejtori i kësaj shkolle, Betim Sylejmani, tha se për herë të parë pas 10 vjetësh, mësimdhënësit e kësaj shkolle u bënë pjesë e sindikatave të arsimit, e me këtë rast vendosën ta zbatojnë vendimin e tyre.