Gjimnazi Frang Bardhi, ka shënuar sot 70-vjetorin e themelimit
Mitrovicë, 6 maj - Gjimnazi Frang Bardhi, ka shënuar sot 70-vjetorin e themelimit, me çrast nxënësit e kësaj shkolle kanë hap edhe Panairin tradicional të Shkencës dhe Kulturës. Në ceremoninë e shënimit të Ditës së Shkollës, mori pjesë edhe kryetari i Komunës, Agim Bahtiri me bashkëpunëtorë.
Në fjalën e tij të rastit, Bahtiri tha se Mitrovica dhe posaçërisht Gjimnazi, gjatë gjithë periudhave të pasluftës së dytë botërore, ka dhënë dijetarë të shumtë në të gjitha fushat e shkencës dhe kulturës, të cilët me punën dhe rezultatet e arritura, kanë bërë emër në gjithë shqiptarinë e më gjerë.
Ai premtoj se, komuna do t`i mbështet maksimalisht aktivitetet e këtilla apo të ngjashme, si dhe do të bëj gjithçka që është e mundshme, që të krijoj kushte sa më të mira për shkollimin e nxënëseve.
Duke u ndërlidhur me panairin, Bahtiri shprehu bindjen e tij se gjatë këtyre ditëve të panairit nuk do të mungojnë vizitorët e shumtë dhe se ata do të ndahen shumë të kënaqur me interpretimet dhe shpjegimet e mrekullueshme që nxënësit do tu japin gjatë prezantimit të të arriturave të tyre të deritashme, qoftë ato teorike, apo praktike, në fushën e shkencës dhe të kulturës.
Është kjo një mundësi e shkëlqyer që ju të ofroni eksperienca nëpërmes punës teorike e praktike, tu tregoni qytetarëve se si punohet sot në shkollat tona, se si mësimdhënësit dhe nxënësit janë të përkushtuar për të arritur sa më shumë dije në procesin e arsimimit dhe edukimit, tha Bahtiri.
Drejtori i Gjimnazit, Ismet Ferizi, foli për historikun e kësaj vatre të dijes, si dhe të arriturat e gjimnazistëve.