Gjilani dhe USAID marrëveshje për tregun e punës dhe orientimin në karrierë
Gjilan, 2 gusht - Komuna e Gjilanit ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me USAID-in në programin katër palësh për mbështetjen e nxënësve të shkollës së Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, për përgatitjen dhe zhvillimin e aftësive të tyre conform kërkesave dhe nevojave të tregut të punës.
Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka thënë se marrëveshja e nënshkruar mes Komunës së Gjilanit, USAID-it, Qendrës për Arsim në Kosovë dhe gjimnazit natyror, parasheh mbështetjen e nxënësve dhe përgatitjen e tyre për tregun e punës.
“Është një punë e madhe që do të bëhet në përgatitjen e nxënësve për të qenë konkurrent në treg. Falënderoj shumë USAID-in që është partner strategjik i Komunës së Gjilanit. Bashkërisht me përkushtim maskimal do të punojmë për orientimin e të rinjëve si potencial i fuqishëm për punë profesionale në tregun e punës në Kosovë dhe më gjerë në të gjithë sektorët e posaqërisht në sektorin privat”, ka thënë kryetari Haziri, duke garantuar mbështetje maksimale dhe bashkëpunim me këtë program.
Kurse nga ana e tij përfaqësuesi i USAID-it, William Trigg, ka thënë se ky program që mbështet nga USAID ka qëllim zhvillimin e shkathtësive për të rinjtë e shkencave natyrore të gjimnazit natyror, që siç ka thënë ai do të jetë shembull i mirë dhe i vetë në nivel vendi.
“Jam shumë i lumtur që programi i përgatitjes së fëmijëve pas mësimit të rregullt, parasheh zhvillimin e shkathtësive për të qenë të suksesshëm në fusha të ndryshme në treun e punës, ndërmarrësi dhe orientim në karrierë. Ky program nuk është vetëm në interesin e rinisë së Kosovës, por edhe në interesin e biznesit. Duke punuar së bashku me Komunën e Gjilanit, mund t’u ndihmojmë fëmijëve që të marrin vendin e tyre të merituar të punës gjatë të ardhmes”, ka thënë mes tjerash ai.
Valmira Biba nga Qendra për Arsim e Kosovës dhe Bekim Mustafa, drejtor i gjimnazit natyror “Xhavit Ahmeti”, janë zotuar që do të punojnë në implementim të programit në shërbim të të rinjëve dhe përgatitjen e tyre për tregun e punës dhe orientimin e duhur në karrierë gjatë të ardhmes.